Homazh për FERENC PUSKAS (1 PRILL 1927– 17 nëntor 2006) në përvjetorin e 96 të lindjes-

Futbollisti më i madh hungarez i të gjitha kohërave dhe një nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit….! E kam shikuar për herë të parë në TV në finalen e Kupës së Kampioneve të vitit 1971 midis Ajaks Amsterdam dhe Panathinaikos të Athinës (Londër – 2 qershor 1971). Një burrë i shkurtër dhe i shëndoshë. Nuk të jepte përshtypjen e një ish futbollisti. Ishte 45 vjeç…! Skuadra greke e drejtuar prej tij dha maksimumin, duke shkuar në finale. Përballë “holandezëve fluturues”, të udhëhequr nga Cruyff çdo gjë ishte e pamundur.

Pas futbollit të luajtur vazhdonte të ishte “refugjat” nëpër Evropë, Amerikën Latine, Afrikë dhe më gjerë duke trajnuar klube dhe skuadra kombëtare, të vendeve të tjera. Atdheu i tij Hungaria, e kishte konsideruar “tradhtar”, pas braktisjes së vitit 1956. Por ai nuk e harroi kurrë Hungarinë dhe Budapestin…! Puskas, ishte padyshim një nga hungarezët më të famshëm…!

Loja e tij, kishte madhështinë e muzikës së Liszt dhe Bela Bartok, vrullin poetik të Shandor Petef, si dhe sfidën ala Puskas, ndaj regjimit komunist hungarez, të mbështetur nga tanket sovjetike.

Kthehet në Hungari për herë të parë në vitin 1981, pas 25 vjetësh dhe vendoset përfundimisht në Budapest, në vitin 1990 pas rënies së komunizmit.