Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka firmosur ekstradimin e Alket Hatisë drejt Italisë. I cilësuar nga mediat italiane si “Zoti i drogës” ai ishte në kërkim për trafik të lëndëve narkotike dhe vepra të tjera penale.

Për më shumë se tre vite kishte një “luftë” për interpretimin e vendimeve.

Sipas gjykatës së Durrësit, Hatija e ka kryer dënimin 16 vite burg të dhënë nga drejtësia shqiptare për të njëjtat vepra penale, trafik droge, për të cilat është dënuar me 20 vjet edhe nga gjykata në Itali.

Në 11 korrik 2017, ai fitoi lirinë nga Shkalla e Parë e Durrësit, por gjykata e Apelit vendosi “arrest me burg”.

Tashmë Hatija që ndodhet në arrati duhet të përballet edhe me drejtësinë italiane nëse arrestohet, pasi ekstradimi u firmos, pavarësisht se pretendon se për të njëjtat vepra penale e ka kryer një dënim në Shqipëri.

Pas vendimit Hatija ka reaguar nga arratia duke e cilësuar skandal. “Jam dënuar me 16 vite burg për këtë çështje dhe kam vuajtur dënimin. Tani me thonë nuk të kemi dënuar mirë dhe do të dënojë edhe njëherë Italia po për këtë çështje. Ky është një turp i drejtësisë shqiptare.

Përse më mbajti 16 vite burg kur nuk njihen nga drejtësia italiane? Përse nuk më ekstradoi në vitin 2008 kur më arrestoi për këtë çështje? Unë nuk kam borxh as drejtësisë shqiptare dhe as asaj italiane. Jam dënuar sipas marrëveshjeve të dy drejtësive dhe kjo është çmenduri”, tha ai për mediat.