Presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë dozën e tretë të vaksinës Covid-19. Lajmi është raportuar në mediat ruse, sipas të cilave Putin ka marrë një dozë të Sputnik Light.

“Sot, me rekomandimin tuaj dhe të kolegëve tuaj, mora një vaksinim tjetër, Sputnik Light. Ky quhet rivaksinim”, tha Putin në një takim me zëvendësdrejtorin e Qendrës Kërkimore për Epidemiologjinë dhe Mikrobiologjinë Gamaleya.

“Dhe sa i përket dhimbjes. Është bërë para dy orësh (rivaksinimi). Nuk ndjej asgjë dhe gjendja është në rregull, gjithçka është në rregull”, shtoi ai.

Pas dy dozave të para të Sputnik V, të marra në mars dhe prill, Putin mori një dozë të Sputnik Light, një vaksinë me një dozë të vetme.

Në qershor të këtij viti, Putin deklaroi se ai ishte vaksinuar me Sputnik V.

Presidenti rus ka dalë vullnetar për të testuar një vaksinë hundore për koronavirusin që është në zhvillim në Qendrën e Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya.

“A mund të marr pjesë në këtë eksperiment?” pyeti drejtpërdrejt zëvendësdrejtorin e qendrës Logunov. Specialisti u përgjigj se do të ishte e nevojshme të nënshkruante paraprakisht këtë.

“Mirë, do ta nënshkruaj patjetër. Mund ta bësh menjëherë”, iu përgjigj Putin.

Edhe pse Rusia ka disa vaksina të saj, vetëm 36.7% e popullsisë është plotësisht e imunizuar, sipas faqes së specializuar të internetit Gogov. Deri më sot, Rusia ka regjistruar zyrtarisht 9,331,158 raste të koronavirusit dhe 264,095 vdekje, duke e bërë atë vendin më të prekur nga pandemia në Evropë. Rusia vazhdon të prodhojë shifra dramatike me 1,252 vdekje nga Covid, pas rekordit të 1,254 vdekjeve të shtunën, me 36,970 raste të reja nga 37,120 të shtunën.