Agonia më në fund ka marrë fund. Lewis Hamilton ka rinovuar me një vit kontratën me Mercedes, duke garuar kështu me makinën gjermane edhe vitin 2021.

Palët kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen, e cila përflitej se ishte gati. Piloti britanik ka kështu mundësinë që me Mercedes të fitojë edhe titullin e tetë kampion bote në Formula 1.

Në marrëveshje nuk bëhen me dije detajet e kontratës, por duket qartë se nuk bëhet më fjalë për një projekt afatgjatë, duke qenë se vitin 2022 do të ndryshojnë “rregullat e lojës” në Formula 1.

“Marrëveshja bazohet në impenjimin që palët kanë patur në zhvillimin e motorit Mercedes”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e makinës gjermane. Sezoni i ri do të nisë në fund të marsit.

“Jam i lumtur që do të nis sezonin tim të nëntë në Formula 1 me makinën Mercedes. Kemi arritur shumë gjëra së bashku dhe shoh me optimizëm përpara”, tha Lewis Hamilton.