Presidenti Ilir Meta publikoi një letër që Ambasada Shqiptare i ka dërguar Qeverisë në Tiranë që më datë 5 gusht, ku paralajmërohej ndryshimi i regjimit të kalimit kufitar në Kakavijë.

Letra e firmosur nga Ambasadorja Ardiana Hobdari vë në dijeni Drejtorinë e Rajonit dhe Vendeve Fqinje, që drejtohet nga Gazmend Turdiu në Ministrinë e Jashtme për ndryshimet e reja të vendosura nga pala greke.

“Ndër masat e reja, Chardalias njoftoi se duke filluar nga sot, më datë 5 gusht ndalohet kalimi në Kakavijë drejt Greqisë nga ora 23:00 deri në orën 07:00 me orën lokale. Ai u shpreh gjithashtu se në këtë pikë do të instalohet një ekip i përhershëm i Entit Kombëtar të Shëndetit Publik me kuadro të Forcave të Armatosura. Njëkohësisht, nga data 16 gusht, të gjithë shtetasit q hyjnë në Greqi përmes pikës së Kakavijës do të jenë të detyruar që të hyjnë në karantinë 7-ditore në banesën e tyre”, thuhet në letër.

Duke komentuar këtë informacion, Presidenti Ilir Meta falenderon autoritetet greke për korrektësinë e treguar dhe Ambasadën shqiptare në Athinë për paralajmërimin e menjëhershëm që kanë dërguar në Tiranë.

Më pas, duke u kërkuar ndjesë qytetarëve të bllokuar në kufi, Meta shigjeton drejtpërdrejtë Edi Ramën, si Ministër të Jashtëm.

“Edhe njëherë ndjesë të gjithë bashkëqytetarëve tanë, të cilët hoqën vuajtje çnjerëzore, sepse Ministri ynë i Jashtëm, i cili është edhe Kryeministër, po pushon për shtatë palë qejfe!”, shkruan ai.

Në letrën e dërguar në Tiranë nga Ambasada shqiptare në Athinë nuk përmendet testi Covid-19, por ai tërthorazi është paralajmëruar nga pala greke me stacionimin e përhershëm të njësive të shëndetit publik me kuadro të Forcave të Armatosura greke.