Partia Demokratike akuzon Qeverinë për paaftësi dhe se ka dështuar në realizimin e një plani dhe strategjie për nisjen e vitit të ri shkollor duke lënë në pritje dhe pasiguri mijëra nxënës e studentë, si dhe prindërit e tyre.

“Sot asnjë prind nuk e di çfarë do të bëhet me shkollimin e fëmijëve të tyre. Askush nuk e di, nëse do të happen apo jo shkollat, sepse Edi Rama dhe qeveria e tij e dështuar nuk kanë asnjë plan. Prej të paktën dy javësh, siç ndodh zakonisht, mbi 640 mijë nxënës dhe studentë presin lajmin për ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tyre, nisjen e fillimit të vitit shkollor dhe akademik, por qeveria hesht. Ministria e Arsimit nuk ka publikuar asnjë plan, asnjë strategji për mënyrën e zhvillimit të mësimit në sistemin parauniversitar dhe atë universitar”, deklaroi ish-deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Boçi kërkoi me urgjencë nga Qeveria që të dalë e të sqarojë se çfarë do të bëhet me vitin e ri shkollor, cilat janë masat e marra nëpër shkolla nëse ato do të rihapen dhe nëse jo, cili është plani për mësimin në distancë, pasi sipas tij, mësimi online që u zhvillua vitin e kaluar akademik ishte një dështim.

“Edi Rama duhet të ndërpresë pushimet dhe të dalë përpara shqiptarëve për ngjarjen më të rëndësishme të fëmijëve. Si çdo Kryeministër tjetër në Europë, duhet të shpjegojë cili është plani për shkollat, nëse do të rihapen apo jo, çfarë masash janë marrë për klasat, nëse do të ketë rihapje, çfarë po bëhet për mësimin online, pasi ai që fëmijët bënë në karantinë është një vit i djegur, ku fëmijët mësuan pak, ose aspak”, u shpreh Boçi.

Mungesa e një plani dhe strategji për arsimin, sipas opozitës, dëshmon se në këto shtatë vite, për Edi Ramën ky sektor nuk ka qenë asnjëherë parësor.

“Edi Rama është në rehatinë e plazhit, ndërsa Besa Shahini, ikonë e paaftësisë së kësaj qeverie, është në ethet e shkarkimit. Askush nuk do t’ia dijë se çfarë do të ndodhë me mësimin, me nxënësit, me mësuesit. Asnjëherë gjatë këtyre 7 viteve e gjysmë, Edi rama nuk e ka patur arsimin prioritetin e tij. Ai mashtroi qytetarët me premtimin e financimit të arsimit sa 5 përqind e Prodhimit Kombëtar. Tani investimet janë katandisur në një grusht para dhe ato pak investime në shkolla bëhen me borxhet e PPP-ve korruptive”, vijoi Boçi.