Zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar ka nisur vizitën e tij zyrtare në Tiranë. I shoqëruar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, ai ka nisur takimin me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë blu.

Pas takimit pritet të flasë kreu demokrat, ndërsa zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA pritet të mbajë konferencë pas të gjitha takimeve.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri e Escobar, i cili është Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi disa ditë më parë se qëllimi i vizitës është për të thelluar miqësinë e ngushtë mes dy vendeve, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Pas takimit me Bashën, Escobar do të takohet me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka rreth orës 15:00. Takimi i zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit me Kryeministrin Edi Rama do të zhvillohet rreth orës 17:00.

Ambasada e SHBA tha se vizita e zyrtarit të lartë ka si qëllim rikonfirmimin e mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

“Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhej në një njoftim të ambasadës amerikane.

Një ditë më parë SHBA-ja vendosi sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën duke shënjestruar edhe një grup të krimit të organizuar me qendër në veriun e Kosovës. Bëhet fjalë për biznesmenin serb Zvonko Veselinoviç, vëllain e tij dhe një sërë bashkëpunëtorësh.

Vendimi erdhi pak javë pasi Escobar tha se korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor do të vijojë të ketë sanksione nga SHBA. Po ashtu vizita e zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit zhvillohet 2 ditë para Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit.