Μπορεί να είναι εικαστικό ένα ή περισσότερα άτομα και εσωτερικός χώρος

 Grigor JOVANI

***

DY TË HUAJ NË PARIS
Gabriel Garcia Markezi, shkrimtari i ri kolumbian, që 28 vjeçar ishte akorduar si korespondent shtypi në Paris, kishte arritur të bëhej i njohur në vendin e tij, pas një romani të suksesshëm botuar atje dhe një çmim prestigjioz që kishte fituar. Por koha sikur kishte ngecur për të në Paris. Vlonte përbrenda nga dëshira për të shkruar letërsi të vërtetë, të madhe, pasi ato korrespondencat e ftohta gazetareske që formulonte automkatikisht, si robot, i mjegullonin trurin, sikur kishte vite të tëra zhytur në një jerm që përsëritej çdo natë.
Dy ishin “mësuesit” e tij në letërsi, që i adhuronte pafundësisht, asaj kohe. Të dy amerikanë. Njeri, Uiliam Folkner, prozatori varrmihës i traditave të vjetra të shkrimit. Tjetri, Ernest Heminguej, i cili e mahniste me mjeshtërinë e rrëfimit. Të parin zor se mund ta takonte, ishte “i fshehur” poshtë grataçielave dhe lavdisë, në Amerikën e përtej oqeanit. Të dytin sikur ia kishte zbritur zoti në Paris, ku gjendej edhe vetë. Asaj pranvere plot shira të 1957-ës shkrimtari dhe gazetari i famshëm amerikan shëtiste rrugëve të kryqytetit frances, siç dukej në kronikat e shtypit parizian, kështu që “Gaboja” kishte rastin ideal ta takonte. Gjë që ndodhi.
Në një korrespondencë të tij dërguar “El País” më 1981, rrëfen se për shkak të anglishtes së tij jo dhe kaq të mirë dhe stepjes para aureolës që kishte mbi vete “teleadori” Heminguej, nuk kishte guxuar ta takonte dikur së afërmi, edhe pse e kishte gjetur rastin e ëndërruar. Pas këtij rrëfimi të sinqertë të “Gabos”, historia shkroi faktin e pa përsëritshëm: dy gjigandë botërorë të shkrimit, i sotmi dhe i ardhshmi, u kryqëzuan në një nga rrugët pariziane pranverës së 57-ës të shekullit të kaluar, por vetëm ishin përshëndetur nga larg. Si dy të huaj në Paris, por që i lidhte dhe i njihte midis tyre diçka e habitshme, magjike, përtej tyre: Lavdia!
Ja disa fragmente nga kronika e njohjes së tyre, qoftë edhe nga larg: “E njoha papritur, ai po shëtiste me bashkëshorten e vetë, Mary Welsh, përgjatë autostradës Saint Michel, në, Paris (…) Vadhisnin tek shëtitorja përballë, drejt Kopshtit të Luksenburgut. Vishte pantellona xhin, këmishë karo skoceze dhe kapele baladori. E vetmja gjë që nuk i shkonte qenë syzet mikroskopioke dhe të rrumbullakta të miopisë, që jepnin erën e një gjyshi të parakohshëm (…) Kishte mbushur të 59-tat por ishte gjigand dhe impozant, veçse nuk të jepte idenë se e kërkonte demonstrimin e kësaj fuqie mbresëlënëse…”
Garcia Markezi pohon se për një çast u step nga dilema: duhej të shkonte pranë tij dhe ta përshëndeste nga afër? Ëndërronte prej kohësh t’i merrte një intervistë. Ose thjesht t’i shprehte admirimin dhe adhurimin. Por nuk e bëri, për dy arsye: e para, anglishtja e tij ishte shumë e paktë dhe, e dyta, nuk dinte se sa mirë fliste dhe kuptonte spanjisht shkrimtari amerikan.
“Gaboja” nuk bëri asgjë nga këto. Bëri diçka spontane, të pa parashikuar, gati fëminore. Vuri dy pëllëmbët e tij, si buri përpara gojës, dhe i thirri Heminguejt në rrugën përballë: “Përshëndetje, Mësues!” Amerikani mendoi se nuk mund të kishte “mësues” tjetër mes atyre njerëzve të paktë dhe e përshëndeti djaloshin përballë edhe ai, me një spanjishte të kulluar: “Addio, mik!”
Ishte e para dhe e fundit herë që shikoheshin dhe përshëndeteshin me njeri-tjetrin.

*** 

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe mjekër
EKSPERTIZA
Ka marrë dhenë tashmë një anektodë, por që është plotësisht reale, në lidhje me Heminguejin. Diçka në dukje e pa rëndësishme, por që paraqet më së miri karakterin e tij, drejtpërdrejtësinë në marrëdhëniet me miqtë, filozofinë e jetës që e karakterizonte.
Ja, rasti në fjalë. Në një darkë miqsh, të akredituarish perëndimorë të shtypit në Paris, Heminguej ndau një bisedë shumë intime me kolegun e tij, shkrimtarin e famshëm amerikan, Fixhgerald, me të cilin i lidhte edhe një miqësi e hershme.
“Gatsby” i qahet Ernestit:
– Ime shoqe, Zelda, ankohet se peosi im është shumë i vogël…
– Ashtu! – çuditet Heminguej, pa ditur ç’t’i thoshte.
– Eja me mua! – nuk humb kohën shkrimtari i dëshpëruar dhe e tërheq tjetrin nga dora.
– Ku?!
– Të më bësh një test…
Shkojnë të dy në banjo dhe Heminguej, si mjek urolog, teston natyrshmërinë e peosit të Fixhgeraldit.
– Si të duket? – pyet gjithë agoni “pacienti”.
“Papa” jep rezultatet e ekspertizës së tij pak minutëshe:
– Mua më duket krejtësisht fiziologjik!
– Atëhere?!
– Është krejt e qartë, Skot! – sqaron “mjeku” Heminguej. – Ti e shikon veten nga lart, prandaj të duket peosi yt kaq i vogël.
Dhe i dorëzon “recetën” me ilaçin e shërimit:
– Shko nesër në Luvër dhe shiko peosët e statujave. Pastaj kthehu në shtëpi dhe shiko profilin tënd në pasqyrë…

***

Mund të jetë një imazh i 1 person
DOREZAT E BOKSIT
Jack Dempsey, boksieri i famshëm amerikan i peshave të rënda, që për shtatë vjet (1919-1926) mbajti në shtëpinë e tij titullin dhe brezin e artë të kampionit botëror, më 1924 u gjend në Paris. Merrte pjesë në xhirimet e një filmi për karierën e tij, nga regjisori Erle Kenton. Për të mos humbur formën sportive, stërvitej përditë në palestër. Kishte edhe një mani tjetër, përgatiste vetë dorezat e tij të boksit. Edhe miqve, kishte dëshirë t’u falte ndonjë palë prej tyre…
Roger Kahn, biografi i tij, shkruan tek monografia për kampionin e famshëm, se në një rast të tillë në palestër, kur boksieri po provonte dorezat e reja që kishte përgatitur, i ra në sy diçka e pazakontë në një nga skajet e errta të palestrës. Një hije po përpiqej të fshihej nga sytë e të tjerëve. Dukej se synonte të vinte drejt tyre. Boksieri u ngrit menjëherë nga vendi dhe u bë gati të shkonte të grushtonte hijen e bezdisshme. Kur arriti tek vendi i dyshimtë, u step, diçka e pengoi të zbatonte mendimin e tij të ndëshkimit dhe uli menjëherë duart poshtë. Hija e dyshimtë iu duk një fytyrë shumë e njohur, pastaj i ra në të dhe duarshtërngimi i tyre ishte i zjarrtë dhe i zgjatur.
Ishte shmangur një tragjedi që do të bënte bujë në gjithë botën. Hija e dyshimtë nuk ishte kush tjetër, përveç se Ernest Hemingueji, bashkëpatrioti tjetër i famshëm i boksierit amerikan. Hemingueji adhuronte boksin dhe ëndërronte prej kohësh të ndeshej një herë me… kampionin Jack Dempsey! Rasti për të kishte ardhur…
Vetë Dempsey kujton më vonë: “Kishte shumë amerikanë në Paris aso kohe dhe më ftonin shpesh për ndeshje miqësore. U përgjigjesha pozitivisht thjesht për kortezi. Por ekzistonte atje në atë kohë edhe një mik, që nuk mund ta ngatërroja me të tjerët. Me të kisha qejf të gjendesha. Madje, i kisha falur edhe një palë dorezash boksi. Ishte Ernest Heminguej dhe boksi qe një pasion i madh i tij…”
Diku tjetër, saktëson: “Kisha përgatitur doreza boksi për shumë amerikanë në Paris, kur gjendesha atje. Ndërmjet tyre ishte edhe një djalosh, që cilin nuk mund të mos e njihja. Atë kohë duhej të ishte 25 vjeç. Nga trupformimi por edhe nga qëndrimi i tij, dukej se kishe premisa të mira për t’u bërë boksier. Por kishte zgjedhur të bëhej shkrimtar. E dija se ishte bërë shumë i famshëm dhe njerëzit e lexonin me ëndje dhe mani. Kur e pashë me dorezat që i kisha dhuruar të vinte pranë meje, me dëshirën e flaktë të një të riu për të provuar aftësitë e tij, ndjeva se fare mirë mund të ndesheshim në ring. Ai e dëshironte me mani, por unë nuk e bëra. E dija se mund t’i bëja dëm, nuk doja ta bëja kurrë këtë tek Hemingueji. Megjithatë, e gjeta djalosh të paepur, që nuk çante kokë për asnjë rezik. Njëkohësisht, të pa përgjegjshëm…”

***