esse nga Fatbardh AMURSI

Askush tjetër nuk e mishëron thënien e Naim Frashërit “Dielli lind andej nga perëndon” nga Ismail Kadare, për më tepër në kohën kur propagandohej “Lindja e kuqe”. Gërmat latine të gjuhës sonë, në latinisht u këndoi Barleti bëmave të Gjergj Kastriotit, kordhëtarit të kontinentit mëmë, si e vetmja rrugë, që, mendjet e ndritura të kombit e mbajtën hapur, pavarësisht pushtimeve, rrethimeve e izolimeve. (Si bejtexhinjtë dhe ndikimin i letërsisë sovjetike nuk prekën identitetin e letërsisë, prirjen evropiane të saj. Pashko Vasa ishte guvernator i Libisë, por romanin e parë shqiptar e shkroi në gjuhën frënge.)
Pukvili, duke udhëtuar për në Përmet përmend një rast interesant. Në rrugë e sipër një përmetar i drejtohet në frengjisht, i cili, më pas do t`i fliste për miqsinë që ai kishte me shkrimtarë të njohur të Francës, midis të cilëve përmend dhe Emil Zolanë. Të asaj France nga ku do të nis rrugëtimin fama e shkrimtarit tonë Ismail Kadare, i cili ka 20 e ca vite që nominohet për çmimin Nobel. Nëse do të bënim një krahasim me futbollin, prej vitesh arrin në çerekfinale dhe në gjysëmfinale. Pak po ju duket?! Ndryshe nga Pasternaku, i cili e nxori fshehurazi romanin “Doktor Zhivako”, i financuar nga CIA dhe M6 angleze i jepet çmimi Nobel, ndërsa Kadareja botohet jashtë me miratimin e shtetit shqiptar. (Shihni si lumturohen, me të drejtë, poetë e shkrimtarë, kur u botohet jashtë ndonjë poezi, libër apo marrin ndonjë çmim, ndërsa mosmarrjen e Nobelit, për fat të keq, disa poetucë, shkrimtarucë, shqiptarucë, shtrigologë e gjithologë ia llogarisin shkrimtarit tonë më të famshëm të të gjitha kohërave, si dështim?! As më shumë e as më pak, janë po ata, që vuajnë nga deliri i shkurorëzimit, përgjashëm me dërgatën, që i dorëzoi Viktor Emanuelit III kurorën e mbretit të Shqipërisë, si e si të mos e shihnin në kokën e mbretit të tyre. Studjuesit thonë: pavarësisht se ari zë vendin e parë, vlera e argjendit është më e madhe. Kadare me argjendin i ka të përmbushura ambicjet e veta, por, ja që Nobeli u duhet shqiptarëve më shumë se atij vetë. Një medalje ari merr një sportist i jepen grada në ushtri, ndërsa gjeneralizmi i letrave shqip me “Gjeneralin e ushtrise së vdekur” pushtoi botën letrare.)
Nuk e teprojmë nëse themi se sjellja ndaj Kadaresë: është një test për të dalluar të talentuarin nga mediokri, të kulturuarin nga pseudoja, mendjen e hapur nga kritizerin delenxhi, pse jo: atdhetarin nga pseudopatrioti. Këta të fundit i gjen me shumicë nëpër partira, mediume dhe portale. U duket se Kadare u ka marrë kismetin. Dje e luftonin shkrimtarin në emër të dogmave, si “i shitur tek Perëndimi”, kur librat botoheshin me pëlqimin e shtetit shqiptar. (Pushtetarët i akuzojnë se kanë vjedhur floririn që nga mbreti Zog e deri tek këta të sotmit, por më shumë u dhimbset floriri, që, me gjasa, paska shpenzuar Enver Hoxha për botimin e librave të Kadaresë në Perëndim, e cila shkon si kompliment për diktatorin, i cili e derdhka paranë për artin, kur sot shumica dërrmuese e autorëve i paguajnë nga xhepi i tyre librat e botuara. Na dilka se i interesuar për ta shitur shkrimtarin në Perëndim paske qenë shteti, kur kryeministri i kohës e akuzonte për “agjent të Perënfimit”, sikurse akuzoheshin Koliqi dhe Camaj deri vonë?! Tani kanë ndërruar pllakë, jo të shitur tek Perëndimi, por të blerë nga regjimi, si beniamin i Hoxhës dhe oborrtar i tij, duke na kujtuar poezinë e Kadaresë për kuajtë: nga lufta vijmë dhe në luftra shkojmë. (Ku qendron suksesi i Kadaresë jashtë, e pyetën dikur kritikun Razi Brahimi në Lushnje. Se shkruan sipas shijeve të borgjezisë, ishte përgjigjja e tij. Raziun e kishin sjellë në Lushnje me dënim, si redaktor i librit të Driteroit “Zhurma e erërave të dikurshme”, i hequr nga qarkullimi për gabime ideologjike (!) Edhe kur i zinte e keqja, prapë nuk u rrihej pa e prishur gojën?! Të shaje Kadaren të merrej si një mundësi për të rregulluar biografinë.)
Skematikët nuk kanë tjetër njësi matëse nga politizimet. Ndërsa vetë mbanin nofka dhe pseudonime të tjerët i etiketonin me “shfaqje të huaja”, “lakra në kokë”, dekadentë apo izmaxhi. (Reliken, dikur e mbanin për vete si hajmali, ndërsa të tjerëve ua vënë poshtë rrobave si magji.) Kush nuk shkroi për partinë dhe Enverin, ja që të Ismailit binin në sy për shkak të artit. Dikur ky soji mburrej me “shqiponjat që fluturonin lart”, ndërsa tani: ku t`i kërkojmë rrënjët e tua, i thonë shkrimtarit. Në librat e shenjtë thuhet se nuk mund të dënohesh dy herë për të njëjtin faji, ndërsa Kadare u sulmua me të njëtin zell dy herë për romanin “Dimri i madh”. Këta të parrënjët, të pa krahët, që janë mësuar të ecin zvarr, duke u ankuar se nuk i kanë lënë të fluturojnë, u duhet një armik imagjinar. Për dështumer e tyre fajsojnë atdheyn, do thotë diku shkrimtari për ta. (Simpatia e shkrimtarit austriak Peter Hanke për Milosheviçin, nuk e pengoi jurinë që t`i jepte atij Nobelin. Ka në botë autorë komunistë që kanë marrë çmimin Nobel, ndërsa Kadare u dashka ndëshkuar pse në roman ka persazh Enver Hoxhën, apo ka shkruar vargje për të. Për Stalinin kanë shkruar edhe disidentë sovjetikë.)
Kadareja ka 20 vite i nominuar për çmimin Nobel dhe 52 vite që botohet në Perëndim e në botën mbarë, ku 20 vite krijimtari i përkasin kohës së diktaturës. Prej gjysëm shekulli të botohet rregullisht në Perëndim, shoqëruar dhe me çmime prestigjoze, një shkrimtar ardhur nga një vend diktatorial, ku shumë e shumë evropianë nuk e dinin nga binte Shqipëria, për më tepër një shkrimtar i trajtuar si heretik, me një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin e letërsisë provinciale të vendit të tij, vlera këto që nuk manifestohen prej asnjërit nga të kurorëzuarit e Nobelit, do ishin të mjaftueshme që shkrimtari ynë të kurorëzohej me Nobelin. Nuk mund të habisë fakti, që, ishin të huajtë që e promovuan shkrimtarin tonë kundrejt shijeve dhe standarteve të tyre. I dolën krah, kur këndej nga ne donin ta izolonin. Në mos ta ndëshkonin.
Rexhep Qosja, që vetë s`i kursen lëvdatat për Enver Hoxhën, në një botim të tijin për censurimin e filmave të diktaturës, krejt pa lidhje, xhiron fjalë krejt të padenja për Kadarenë: “Po ndaluan filmat e para ’90-ës, duhet të ndalojnë dhe Kadarenë”, “Ç’është romani Dimri i madh? Padyshim “zgjatim i natyrshëm i komunizmit”, në të vërtetë “zgjatim i natyrshëm i stalinizmit”! Ç’është romani Dasma? Padyshim zgjatim i natyrshëm i maoizmit, domethënë i politikës dhe ideologjisë së revolucionit kulturor kinez!” Ta zëmë për një moment se kërkesa për censurim miratohet: bashkë me filmat ndalohen dhe librat e Kadaresë. Por, a do t`i ndalojë Perëndimi veprat e “agjentit” të saj? A nuk është e turpshme të mendosh, që në demokraci të kërkohet censurimi dhe ndalimi i librave, sikurse i ndodhi shkrimtarit dhe në diktaturë? Ngjarjet në Ukrahinë a nuk e kanë aktualizuan romanin “Dimri i madh”? Shkrimtari mbështet në libër shkëputjen e Shqipërisë nga Moska, gjë që po ndodh dhe me Ukrahinën, me një luftë nga më heroiket të historisë moderne. Sovjetikët për të nënshtruan shtetin shqiptar ndaluan fornizimin me grurë, bllokada e grurit u shfaq dhe në luftën e sotme në Ukrahinë dhe shpëtimi erdhi nga Perëndimi, Franca, aty ku botohej krijimtaria e Ismail Kadaresë. Meqë financimet ruse sponsorizojnë politikën, median, a ka të ngjarë që sulmet ndaj shkrimtarit tonë perëndimor të kenë sponsorizim lindor? Por ta mbyllur: Nobeli më shumë u duhet shqiptarëve se Kadaresë.