Kryeministri Edi Rama deklaroi se amnistia fiskale e paralajmëruar nga qeveria është një nismë që do të shkojë në parlament, por me një draft që do të ketë edhe miratimin paraprak nga ndërkombëtarët.

“Miqve ndërkombëtarë, partnerëve ndërkombëtarë, cinikëve ndërkombëtarë, kur ia japin gojës pa asnjë siklet duke i futur të gjithë në një thes e duke trajtuar përpjekjen tonë kushtetuese, për të legalizuar 30 vite gjak, djersë kursime, si një përpjekje të dyshimtë për të ndihmuar, lehtësuar, pastruar produktet e krimit. Një skandal. Por ne do të vazhdojmë përpara, sepse kjo është gjëja e duhur dhe e drejtë”, tha Rama.

“Sa shqiptarë kanë vajtur në Britaninë e Madhe, me emër tjetër, si të larguar nga lufta në Kosovë sepse ishin në pikë të hallit dhe donin një zgjidhje. Sa vite kanë punuar ashtu? Ku do t’i çojnë ata kursimet e tyre? Të punës pa orar, në të zezë, që nuk e kanë shpikur shqiptarët, por ata të cilët e kërkojnë dhe e paguajnë. E pra, po nuk i lejmë ata në rrugë, nuk i lëmë.

Do të bëjmë të gjitha ato që duhet, do ta bëjmë edhe amnistinë, për të cilën duam të kemi një draft sa më të dakordësuar me miqtë dhe partnerët tanë, se nuk është një gjë që duam ta bëjmë në mënyrë konfliktuale, si karshillëk ndaj askujt, por duhet ta bëjmë për njerëzit tonë”, tha Rama.