“KGB-ja e luante lojën sikur ishte e mahnitur nga personaliteti i tij”, ka thënë për Trumpin, Yuri Sgvets, burimi kryesor i librit më të ri “American Kompromat”

“Donald Trumpi ishte kultivuar si një aset rus për 40 vjet radhazi dhe ai ishte aq i vullnetshëm për të përsëritur propagandën antiperëndimore, saqë kishte nxitur kremte në Moskë”, ka thënë të premten një ish-spiun i KGB-së ruse për të përditshmen britanike “The Guardian”.

Yuri Shvets, i cili ishte i angazhuar në Washington nga Bashkimi Sovjetik gjatë viteve ‘80, e ka krahasuar ish-presidentin amerikan, në një deklarim për gazetën britanike me “Pesëshen e Cambridges”, një rrjet ky britanik i spiunazhit që i kishte kaluar sekrete Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe fazës fillestare të Luftës së Ftohtë.

Duke qenë tani 67 vjeç, Shvetsi është burimi kryesor i “American Kompromat”, një libër ky i gazetarit Craig Unger, ndër veprat e mëhershme të të cilit janë “House of Trump, House of Putin”. Libri eksploron gjithashtu marrëdhënien e ish-presidentit me financierin famëkeq, Jeffrey Epstein.

“Ky është një shembull se ku njerëzit ishin rekrutuar, kur ishin ende vetëm studentë dhe më pas janë ngritur në pozita të larta; diçka e tillë po ndodhte edhe me Trumpin”, ka thënë Shvets nëpërmjet telefonit nga shtëpia e tij në Virginia.

Ish-majori i KGB-së ishte maskuar si korrespondent në Washington i agjencisë ruse të lajmeve “Tass” gjatë viteve ‘80. Ai u vendos përkohësisht në SHBA më 1993 dhe ka siguruar shtetësi amerikane, ka shkruar “Guardian”. Punon si hulumtues në një korporatë të sigurisë dhe ishte partner i Alexander Litvinenkos, i cili ishte vrarë me helm në Londër gjatë vitit 2006.

Ungeri ka përshkruar se si Trumpi kishte rënë së pari në radarin rus gjatë 1977-s, kur ishte martuar me bashkëshorten e tij të parë, Ivana Zelnickova, një modele çeke. Trumpi u bë cak i një operacioni spiunazhi të mbikëqyrur nga shërbimi çekosllovak i Inteligjencës në bashkëpunim me KGB-në.

Tre vjet më vonë, Trumpi e hapi hotelin e tij të parë “Grand Hyatt New York”, afër stacionit Grand Central. Asokohe Trumpi kishte blerë 200 televizorë për hotelin nga Semyon Kislin, një emigrant sovjetik që kishte në bashkëpronësi “Joy-Lud electronic” në Avenynë e Pestë.

Sipas Shvetsit, “Joy-Lud” kontrollohej nga KGB-ja dhe Kislini punonte si i ashtuquajtur “agjent i njollosur” që e identifikoi Trumpin, afaristin riosh në ngritje, si aset potencial.

Kislin mohon të ketë pasur ndonjë lidhje me KGB-në, shkruan “Guardian”.

Më pas, më 1987, Trumpi dhe Ivana vizituan Moskën dhe Shën Petersburgun për të parën herë.

“Për KGB-në nisi një ofensivë e magjepsjes. Kishin mbledhur shumë informata rreth personalitetit të tij, prandaj e dinin se çfarë personaliteti kishte. Mendimi ishte se ai është skajshmërisht i brishtë intelektualisht dhe psikologjikisht, dhe se ishte i prirë për lajka. Këtë gjë e shfrytëzuan.

E luajtën lojën sikur ishin skajshmërisht të mahnitur nga personaliteti i tij dhe se besonin që ky ishte djaloshi që do të duhej bërë një ditë presidenti i Shteteve të Bashkuara: personat sikurse ai do të mund ta ndryshonin botën. E ngopën me këto të ashtuquajtura masa aktive dhe ndodhi. Andaj, ishte e arritur e madhe për KGB-në asokohe”, ka thënë ish-majori, duke folur për “Guardianin”.

Pak pasi që u kthye në SHBA, Trumpi nisi ta shqyrtonte kandidimin për nominimin presidencial të republikanëve dhe madje mbajti një tubim fushate në Portsmouth të New Hampshires. Më 1 shtator pagoi reklamë njëfaqëshe në “New York Times”, “Washington Post” dhe “Boston Globe”.

Aty ofroheshin opinione të padenja për luftën e ftohtë të Amerikës së Ronald Reaganit, akuzohej Japonia për shfrytëzimin e SHBA-së dhe shprehej skepticizëm për pjesëmarrjen e SHBA-së në NATO. Mori formën e një letre të hapur popullit amerikan “pse Amerika duhet të ndalojë së paguari për mbrojtjen e vendeve që mund të paguajnë vetë për mbrojtjen e tyre”.

Intervenimi bizar ishte sebep për mahnitje dhe ngazëllim në Rusi.

Pak ditë më vonë, Shvetsi, që veçse ishte kthyer në atdhe, po qëndronte në selinë e drejtorisë së parë të KGB-së në Yasenevo, kur e pranoi një kabllogram për suksesin e “masës aktive”.

“Ishte e pashembullt. I njihja mirë masat aktive të KGB-së që prej viteve ‘70 dhe ‘80, por kurrë nuk kisha dëgjuar diçka të tillë – derisa Trump të bëhet president i këtij vendi – ngase thjesht ishte e marrë…”, ka thënë Shvetsi.

Fitorja e Trumpit në zgjedhjet e 2016-s përsëri u përshëndet në Moskë. Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller, nuk kishte konstatuar ndonjë konspiracion midis fushatës së Trumpit dhe rusëve. Por “Moscow Project”, një iniciativë e Qendrës së Fondit amerikan për Veprimin e Progresit, ka zbuluar se fushata e Trumpit dhe ekipi i tij transitor kanë pasur të paktën 272 kontakte të njohura dhe së paku 38 takime të ditura me operues të lidhur me Rusinë.

“Për mua, raporti i Muellerit ishte zhgënjim i madh ngase njerëzit prisnin se do të ishte një hulumtim i hollësishëm i të gjitha lidhjeve mes Trumpit dhe Moskës, kur në fakt ajo që morën ishte një hetim vetëm i çështjeve të lidhura me krim. Nuk kishte aspekte të kundërinteligjencës për marrëdhënien Trump-Moskë”, ka thënë Shvetsi, i cili ka ndërmarrë hetime të tija.

“Kjo është pikërisht ajo që kemi vendosur ta përmirësojmë. Andaj i bëra hetimet e mia dhe pastaj u takova me Craigun. Besojmë se ky libër do të vazhdojë aty ku ka mbetur Muelleri”.

Unger, autori i shtatë librave, për Trumpin ka shkruar: “Ai ishte aset…. Ishte një cak i përkryer në shumë mënyra: kotësia e tij dhe narcizoizmi e bën një cak të natyrshëm rekrutimi. Ai ishte kultivuar për një periudhë 40-vjeçare, krejt deri në zgjedhjen e tij”.