Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar sot planin për bujqësinë duke thënë se janë angazhime konkrete dhe të zbatueshëm. Kreu i PD u shpreh se me planin e PD do të fitojnë të gjithë, ndërsa nëse shqiptarët do të zgjedhin Ramën do të humbasë Shqipëria.

Basha tha se ka takuar fermerët në të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë i janë ankuar qe qeveria i ka lënë pas dore dhe në fshatra “janë mbyllur e vazhdojnë të mbyllen shërbimet elementare, siç janë shkollat, qendrat shëndetësore dhe të tjera”.

Basha tha se angazhohet që qeveria e tij të subvencionojë me një shifër rekord, drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit, 100 milionë Euro në vit për fermerët dhe të financojë 50 milionë Euro të tjera çdo vit për infrastrukturën bujqësore, krahas financimeve të Bashkimit Europian.

“Mbështetja direkte me para në dorë për çdo dynym tokë të kultivuar dhe krerë në blegtori, do të ulë shpenzimet e fermerëve për mekanikën bujqësore, pajisjet e mekanizimit, imputet bujqësore bazë, plehrat kimike, farërat, fidanet, racat e kafshëve, produktet e mbrojtjes se bimëve etj”, tha kreu i opozitës.

Ai shtoi se fermeri shqiptarë do të arrijë të shesë prodhimin e tij dhe të dalë me fitim, me para në xhepin e tij, para për vete dhe për familjen e tij.

“Ne do të zhbëjmë burokracinë korruptive dhe frenuese dhe do t’ju mundësojmë të gjithë fermerëve që të kenë lehtësi në punën e tyre, pa ua zhytur dorën thellë e më thellë në xhep për t’iu marrë edhe qindarkat e fundit. E përsëris zotimin tim, angazhimin që do ta bëjmë realitet menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit. I vetmi dokument me te cilin fermeri do te paraqitet për të përfituar mbështetje financiare, do te jete karta e identitetit, numri unik i të cilës do të shërbejë edhe si NIPT-i i fermerit”, shtoi Basha.

Më tej tha se taksa e tokës do të zerohet për të gjithë fermerët që e punojnë tokën e tyre.