Intervistë me poetin Kristo Tumanidhi

Në një intervistë telefonike që dha Poeti Kristo Tumanidhi në emisionin “Fjalë të sinqerta” në Radio Ehmi, me gazetarin Aleko Haxhikosta, të premten, më 8 dhjetor 2023, duke folur si fillim për marrëdhëniet e tij me Jani Ricosin, nënvizoi:
Është njohja ime më e rëndësishme që kam bërë në jetën time, dhe jo vetëm sa i përket lëmit të poezisë, por edhe të jetës. E kam takuar për herë të parë në fillimet e vitit 1975. Në kalendarin tim shkruajta: “Sot është dita më e rëndësishme e jetës sime, u takova me Jani Ricosin.” Nuk di ç’të them më parë për atë se ç’njeri ishte ai për mua, pasi si poet është i njohur gjerësisht. Rrallë mund të ketë fatin dikush të takojë një njeri me dhuntitë dhe shkëlqimin e Jani Ricosit. Mirësia e tij dhe ndjeshmëria e komunikimit që kishte ndaj meje, ishte pothuajse përhershme, sa herë e takoja (e vizitoja) në shtëpinë e tij. Ai ishte shkolla e jetës dhe e poezisë. Në qoftë se deri sot kam bërë diçka në poezi, ia dedikoj shkëlqimit të tij që më dha dhe mua.”
Duke u përgjigjur në lidhje me pyetjen, kur ka nisur të shkruaj poezi, sqaroi:
“Kam filluar të shkruaj që në moshën 14-vjeçare. Si lojë e fatit u bë gjithçka që u zhvillua më pas, si një pjesë e rëndësishme e jetës për mua. Nuk kam shkruar shumë, por ky ka qenë fillimi i im. Është nga mësimet që mora nga Jani Ricos, mbi të gjitha nga ai që ishte poeti më i botuar, më i njohur në botë. Prej tij mësova të shkruaj sa më shkurt dhe shkrimet e mia të jenë të koncetruara. E nisa me përmbledhjen time të parë në vitin 1978, me titull “Astathmita” (I parëndësishëm), të cilin e pagëzoi vetë Jani Ricos”.
Në vazhdim foli për tërësinë e krijimtarisë së tij poetike, dhe mbi botimin e fundit me ilustrime me titull: “Poezi të heshtura”, promovuar në Veria më 8 dhjetor 2023.
Në ditët e sotme të luftërave dhe varfërisë, çfarë ka për të thënë poezia?
“Në përgjithësi artet janë për kohët e vështira në jetët tona. Nuk është rastësi që shumë vepra në të gjitha format e krijimtarisë, u zhvilluan përmes apo menjëherë pas ngjarjeve më të rëndësishme historike. Sa më e vështirë është koha që jetojmë, aq më shumë e kemi të nevojshme poezinë, muzikën, pikturën, pra, të gjitha artet. Arti është mbështetja më e sigurt në jetën tonë.”
Sa nuk i përket qëndrimit të artistit, çfarë duhet të jetë?
“Është e vështirë të kufizojë dikush rolin e frymëzimit të njeriut, që funksionon brenda zhvillime të mëdha shoqërore. Të tjerë thonë se duhet të zërë vend në ngjarjet e rëndësishme. Kryesorja është se si secili e zë vendin e tij. Besoj se për çdo krijues pjesëmarrja e tij në veprimet dhe ngjarjet e jetës, të bëhet në stilin dhe me kushtet (rregullat) e artit të tij. Atëherë ka fituar vetë arti si dhe vetë shoqëria. Brenda kësaj hapësire përpiqem të vendos edhe unë veten.”
Në mbyllje të intervistës, foli mbi takimin me bashkatdhetarin tonë, poetin Thanasi Markopulo (ndërsa dhe lexoi poezi të tij):
““Shirat e Vermiut”, është prurja më e mirë poetike e tij. Poezi e pjekur, fjalë therëse, e fortë, e ndjeshme dhe plot shkëlqim. Përmes poezive prekëse pashë të gjitha periudhat e zemrës. Të gjitha honet e bukura të jetës. Pashë veten, zbardhimin e mëngjesit dhe zbres përmes shpateve të Vermiut duke kaluar nga Nausa për në Veria. Aty ku më priste poeti me shiun e tij ngazëllues të Vermiut.”
Në fund të intervistës, për të gjithë dëgjuesit dhe dëgjueset, lexoi poezinë “I kyçur”, nga përmbledhja poetike më e fundit e tij “Poezi të heshtura”.

_____

 

Përktheu nga gjuha greke, Bardhul TODA