Një kompani gjermane ka paditur në Gjykatën e Arbitrazhit qeverinë shqiptare për një mosmarrëveshje që lidhet me koncesionin e Portit të Durrësit.

Akuza vjen nga Kompania gjermane EMS Shipping & Trading ka regjistruar çështjen më 7 prill, ndërsa kjo konfirmohet nga Reporteri i Arbitrazhit të Investimeve.

Kompania fitoi në vitin 2013 të drejtën e kontratës koncesionare për të operuar në Terminalin indoor të Portit të Durrësit, për të ngarkuar dhe shkarkuar anijet. Ankesa e kompanisë gjermane ka të bëjë me zhvendosjen që do t’i bëhet terminalit të mallrave në Porto Romano, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Alabbar për transformimin e portit. Sipas tyre, në mungesë të portit të ri, vazhdimi i aktivitetit koncesionar të EMS nuk është i sigurt.

Kompania ka edhe rreth 25 vite të mbetura në kontratën 35-vjeçare, ndërsa fitimet e saj në vitin 2021 llogariten në rreth 1,3 milionë euro.

Kujtojmë se kjo akuzë vjen pak ditë pas vendimit të Arbitrazhit për dëmshpërblim nga qeveria shqiptare ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti. Pas këtij vendimi Rama paralajmëroi se Shqipëria nuk do të bëjë asnjë pagesë, dhe se vendi jonë do dalë nga juridiksioni i kësaj Gjykate.