Shkrimtari dhe përkthyesi Edmond Tupja duke folur mbi studiuesit alternativë tha se nuk është përjashtues, por e konsideroi “folklor bodrumi” të shpjegosh çdo fjalë me shqipen.

Duke bërë lojëra fjalësh Tupja ironizoi disa nga pretendimet e studiuesve alternativë.

Unë nuk jam nga ata që përjashtoj, mund të ketë fjalë të huaja që shqipja i shpjegon në një fare mënyre duke u krahasuar me to. Por të shkosh deri aty sa të thuash se Memfis është fisi Mema dhe e kanë themeluar Memat, atëherë këtu të lutem stop! Të thuash që shteti i Miçiganit është themeluar si shtet nga dy shqiptarë, njëri ishte Miçua që ishte qebaptor dhe Ganiu që mbathte kuaj, shkuan atje panë indian dhe doli Miçigan! Ky është një folklor i bodrumit. Ose do zbavitemi me lojëra fjalësh, dhe këtu është zanat më vete. Do doja që këto lojëra fjalësh që na shërbekan që shqipja është në themel të të gjitha gjuhëve të botës, këtu unë mund t’i marrësh për humor. Kam një listë të fjalëve që i kam sajuar unë në stilin e Agron Dalipajt. Memfisin e thashë, Miçiganin e thashë. Tani Hamleti çfarë është, ishte një familje ku në darkë hahej lehtë, se do flemë në gjumë! Marseja, marrë dhe sjell! Tokio, kryeqyteti i Japonisë, ujë dynjaja, tokë nuk kishte, Tokë jo! Amerika, ha merr edhe ik!