Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar sot programin elektoral për biznesin dhe anti-korrupsion. Basha në fjalën e tij u shpreh se objektivi i tij dhe Partisë Demokratike është të futet Shqipëria mes 30 vendeve më të mira për të bërë biznes.

Po ashtu Basha premtoi se do të vendoset një moratorium 1-vjeçar, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit. Kreu i opozitës u shpreh se do të kufizohet me ligj numri e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve.

“Ne do të vendosim një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit të tërë, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.  Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave me më të mira europiane”, tha Basha.

Sipas kreut të PD, kur ai të jetë Kryeministër do të luftohet për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli dhe do të ngrihet Bordi i Transparencës Fiskale, i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale.

“Një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli”

“Do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. Partia Demokratike beson se ekonomia e tregut është sistemi i vetëm që mundëson zbatimin e të drejtave themelore të njeriut dhe një ekonomi shkalle dhe prosperitet në vend. Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë, por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare”, tha Basha.

“Beteja për një treg të lirë”

“Angazhohem të krijoj mjedisin më favorizues për mbështetjen e biznesin duke eleminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel. Kjo do të jetë baza për një sistem të drejtë, të thjesht ku në qendër është invalidi dhe familja dhe shteti ka një rol dytësor. Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve.

Nuk do të lejoj asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione. Duke nisur një betejë për të luftuar jo thjesht korrupsionin përmes këtyre praktikave por edhe luftën ndaj monopolit dhe kontratave abuzive që janë dhënë përmes këtyre skemave. Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lup çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën ne treg. Asnjë kontrate te re publike për ato kompani qe nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën”, tha Basha.

“Sistemi anti-korrupsioni si vullnet politik “

“Unë angazhohem në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinoje përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive që do t’u dorëzuar përpara drejtësisë për ato subjekte që janë identifikuar në akte korruptive.

Zbatimi i Ligjit Anti-mafia dhe parimeve të tij edhe për aferat korruptive duke zbatuar të njëjtat parime edhe për asetet që janë vendosur nga praktika korruptive. Vendosjen e detyrueshme të kontrollit për çdo kontrate publike koncesionare edhe nga Zyra e Auditit të Brendshëm përveç Kontrollit që ushtron institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Këto masa kërkojnë vullnet të hekurt, këto masa kërkojnë vullnet politik dhe unë e kam vendosur luftën ndaj korrupsionit në krye të agjendës time dhe angazhohem për të ngritur një sistem që vendos ne qendër individin dhe, familjen, qe ngre pagat dhe rrit pensionet, një sistem që motivon të drejtën, një sistem ku unë si Kryeministër nuk do të kem pushtet të pakufizuar, por do të ketë institucione dhe mekanizma që kontrollojnë dhe monitorojnë“, tha Basha.

Ku do të gjenden paratë?

“Dhe për të gjithë ata që pyesin ku do të gjenden paratë: paratë do të gjenden në buxhetin e shtetit, ku përmes këtyre masava çdo vit shqiptarëve do t’u kursehen kosto të tilla si ajo prej 7,2 miliard euro e korrupsionit në këto 8 vite. Do të eleminojmë çdo barriere për bizneset, do të krijojnë një treg me konkurrencë të lirë ku nuk ndërhyn shteti, ku barra e shtetit është e papërfillshme, ku parlamenti nuk do miratoje më ligje speciale për miq special të kryeministrit“, përfundoi Basha.