Kryeministri Edi Rama ishte me nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Leonik Tomeo” në Durrës, për të folur për mënyrat se si do të zhvillohet mësimi këtë sezon.

Rama e konsideron të vështirë të gjithë situatën e krijuar për shkak të pandemisë. Sipas Ramës, çdo gjë do të varet nga nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave për të respektuar masat e thjeshta që janë mbajtja e maskës dhe distanca.

“Mjafton njëri të gabojë për të marrë në qafë të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh para nxënësve dhe mësuesve të shkollës se masat janë marrë dhe bëhet fjalë për pika ku të rinjtë do të qëndrojë për t’u futur në shkolla, si do të qëndrojnë në korridore, procedurat e dezinfektimit, distanca në klasa etj. Megjithatë çdo gjë do të varet nga faktori njerëzor.

Madje kryeministri, i cili gjatë gjithë takimit mbajti maskë, shtoi se nëse nuk respektohen rregullat në shkolla atëherë goditja nga Covid mund të jetë më e madhe se ajo e parashikuar.

“Besoj që nëse drejtuesit do të jenë në lartësinë e duhur, gjasat që nga kjo të kemi një goditje më shumë se sa ajo e parashikuara janë zero, nëse jo atëherë goditja do të jetë e fortë. Duhet të mbajmë numrat brenda parashikimeve”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit i bëri thirrje nxënësve që të kenë kujdes edhe jashtë ambienteve të shkollave. Gjithashtu ai u kërkoi të rinjve që të refuzojnë teoritë konspirative për sëmundjen, pasi e vërteta është që Covid po shkakton çdo ditë viktima në vendin tonë.

“Duhen refuzuar teoritë që ky është një grip i thjeshtë, teori konspirative etj sepse çdo ditë njerëzit po ndahen nga jeta. Tani kemi trend të stabilizuar, por çdo ditë kemi fatalitete. Numri i fataliteteve nuk është në tërësinë e vet më i madh në mënyrë të ndjeshme seç ka qenë vitin e shkuar në aspektin e goditjeve vdekjeprurëse nga sëmundjet, por kjo nuk do të thotë asgjë nëse ky rrezik të vjen në shtëpi”, tha Rama.

“Ky vit shkollor do të jetë në këto kushte. E kuptoj që është e vështirë”, shtoi Rama duke pasur parasysh vendosjen e maskës me orë të tëra, apo temperaturat e larta.