Deputeti Vangjel Dule kishte kërkuar sot një interpelancë me kryeministrin Edi Rama për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, por kreu i qeverisë nuk shkoi në Parlament.

Në mungesë të tij, Rama delegoi ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin, që të zhvillonte interpelancën me Dulen.

Por nga ana tjetër deputeti Vangjel Dule tha se nuk e pranon interpelancën në mungesë të Kryeministrit dhe kërkoi që të zhvillohet në një moment të dytë.

“Njoftohem sot në mëngjes se Kryeministri nuk ka denjuar të diskutojmë në lidhje me këto çështje dhe e ka deleguar. Ka dy mënyra se si mund ta trajtoj këtë. E para është mënyra cinike dhe kam të plotë mundësinë ta bëj, por jo dëshirën. E dyta është konstruktive, ashtu duhet të jemi të gjithë me vlerat dhe parimet e një sistemi të mirëqenë demokratik.

Qëndrimi i sotëm i Kryeministrit Rama dëshmon se për të respektimi i të drejtave të minoriteteve nuk ekziston në axhendën e prioriteteve të tij. Mirëpo ekziston në axhendën e Bashkimit Europian.

Me keqardhje nuk e pranoj zhvillim e kësaj interepelance. Nëse ju keni mirëkuptimin, zhvendoseni vetë në një datë tjetër të përshtatshme për Kryeministrin. Nëse nuk do ta bëni, atëherë do ta riparaqes kërkesën, por dijeni se ky është qëndrim abuziv”, u shpreh Vangjel Dule.

Por edhe pse interpelanca nuk u zhvillua, një përgjigje i erdhi nga ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila ishte autorizuar që të përgjigje në emër të Kryeministrit në këtë interpelancë.

Elisa Spiropali: Ne vendosëm që këtë interpelancë ta mbajmë sot dhe ju vendosët që të mos ta zhvilloni, por kohën tuaj e konsumuar dhe thatë disa të pavërteta, duke thënë se qeveria nuk e ka prioritet respektin e pakicave kombëtare. Në vitin 2017 kemi kaluar një ligj që është nga më progresistet në rajon dhe më gjerë, është nga të paktat vende që e ka plotësuar këtë kuadër ligjor dhe me 8 VKM.

Vangjel Dule: Zonja Spiropali sapo e provuat drejtësinë e vendimin tim për të mos e zhvilluar këtë interpelancë. Respektimi i të drejtave në një parlament është çështje debati dhe jo çështje recitimesh.