Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu prezantoi sot përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë raportin vjetor për vitin 2020 të institucionit që ai drejton. Edhe pse në një vit të vështirë pandemik, auditimet e kryera kanë evidentuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik në buxhetin e shtetit.

Gjatë fjalës së tij, Shehu tha se rezultatet e auditimeve të kryera gjatë vitit 2020, kanë evidentuar problematikat e menaxhimit të fondeve, aseteve dhe pasurisë publike, si dhe përgjegjësitë përkatëse nga zyrtarët e çdo niveli të qeverisjes qendrore, vendore dhe enteve në varësi të tyre.

Kush është audituar nga KLSH dhe cili është dëmi financiar?

Kreu i KLSH-së në raportimin e tij para ligjvënësve kuvendorë theksoi se “auditimet e kryera nga KLSH kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit ekonomik dhe financiar në 91 subjekte si institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj”.

Në qendër të punës së KLSH, sipas Shehut ka qenë dhënia e rekomandimeve për përmirësimin e gjendjes së institucioneve të audituara nëpërmjet masave organizative, si dhe identifikimin e shkeljeve me pasoja dëm ekonomik dhe/ose parregullsi/paligjshmëri me efekte negative në financat publike.

Sipas zotit Shehu, ndër treguesit kryesorë të aktivitetit të KLSH-së, për vitin 2020 janë:

  • Adresimi në total prej 1430 rekomandimeve, nga të cilat: 29 janë propozime për përmirësime ligjore, 1107 masa organizative, dhe 294 rekomandime për masa disiplinore dhe administrative.
  • Shkelje me pasojë dëm ekonomik – Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale rreth 2.2 miliardë lekë ose rreth 17.7 milionë euro.
  • Parregullsitë dhe paligjshmëritë me efekte negative – Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën 85.9 miliardë lekë (ose afërsisht 694.1 milionë euro) nga e cila: 11.4 miliardë lekë në fushën e të ardhurave (ose afërsisht 91.9 milionë euro), dhe 74.5 miliardë lekë (ose afërsisht 602.2 milionë euro), në fushën e shpenzimeve.

Parregullsitë dhe paligjshmëritë e konstatuara, i referohen përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik shoqëruar me mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit, të cilat në shumë raste rezultojnë të realizuara jo në përputhje me kuadrin ligjor. Një zë i rëndësishëm janë edhe shkeljet e disiplinës buxhetore në likuidimin e faturave për shpenzime/investime, keqmenaxhimin e fondeve të programuara, të cilat është shoqëruar me krijimin e detyrimeve të prapambetura.

Menaxhimi i financave publike dhe problemet me prokurimet

Në raportin vjetor të KLSH ajo që evidentohet për vitin 2020 është keq menaxhimi i financave publike duke këshilluar që të mbahet nën kontroll monitori i treguesve fiskalë dhe makro-ekonomikë. Në këtë linjë ajo çka vërehet nga raporti i KLSH është problemi i raportimit të detyrimeve të prapambetura të cilat në vlerësimin e këtij, rezultuan të paktën 24.4 miliardë lekë nga rreth 17 miliardë lekë sipas raportimeve të MFE, përfshirë këtu dhe diferencat në raportimin e detyrimit për stokun e TVSH-së së rimbursueshme, i cili në vlerësimin e KLSH-së rezultoi 14.8 miliardë lekë, nga 11.2 miliardë lekë të raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Po kështu sa i takon të ardhurave të papërdorura dhe të trashëguara për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga auditimi u konstatua një deviacion në raportim prej 5.2 miliardë lekë, ku devijimi më i madh i takon të dhënave të Bashkisë Tiranë.

Lidhur me auditimet financiare, Shehu raportoi se gjatë viti 2020, KLSH-ja ka kryer 28 auditime përputhshmërie nga të cilat, vetëm për 3 subjekte është dhënë opinion i pakualifikuar. Ndër problematikat e konstatuara nga KLSH janë:

  • Problematikat në fushën e prokurimeve në lidhje me përllogaritjen e fondit limit, tipin e kontratës dhe procedurës së zgjedhur, në hartimin e dokumenteve të tenderit dhe kritereve për kualifikim.
  • Problematika në fushën e zbatimit dhe ekzekutimit të kontratës deri në marrjen në dorëzim të punimeve.
  • Marrja e angazhimeve buxhetore në mungesë të fondeve disponibël në Thesar.
  • Mungesë e sistemeve efektive të kontrollit në pothuaj të gjithë njësitë publike;
  • Mungesë eficience dhe efektiviteti në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe marrëdhënieve të punës me impakt kosto financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

Kreu i KLSH theksoi se institucioni që ai drejton ka punuar në sinkron dhe në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian për auditimin e jashtëm të sektorit publik të viteve të fundit ka synuar rritjen e përqindjes së numrit të auditimeve të performancës ndaj auditimeve gjithsej. Kështu gjatë vitit 2020 janë kryer dhe evaduar 9 auditime performance të kryera në 28 subjekte, të cilat përfaqësojnë 12.5 % të auditimeve gjithsej, kundrejt 11.4 % në vitin 2019.  Lidhur me vëmendjen që institucioni ka në luftën kundër korrupsionit sa i përket kallëzimeve penale dhe proceseve gjyqësore, rezultoi se gjatë vitit 2020 KLSH ka dërguar në organin e prokurorisë 8 referime penale, për 12 drejtues të nivelit të lartë, të mesëm dhe specialist. Gjatë kësaj periudhe KLSH është angazhuar në 95 procese gjyqësore, nga të cilat 24 procese gjyqësore me karakter penal, 59 procese gjyqësore me karakter administrativ dhe 14 procese gjyqësore me karakter civil.

Në kuadër të proceseve gjyqësore, KLSH ka insistuar në mënyrë proaktive dhe sistematike në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, arkëtimit të dëmit dhe parandalimit të efekteve negative financiare. Vlen të theksohet se gjatë vitit 2020 janë të shumta vendimet gjyqësore të cilat konfirmojnë rekomandimet e lëna nga KLSH në subjektet e audituar. Për rrjedhojë, gjykatat e shkallës së parë në 21 vendime të dhëna kanë konfirmuar rekomandimet e gjetura nga KLSH në auditimet e zhvilluara, nga të cilat, deri tani 4 prej tyre kanë marre formën e prerë dhe janë konfirmuar nga Gjykatat e Apelit.

Në mbyllje të raportimit të tij në Kuvend, Shehu ka përsëritur kërkesën e institucionit që drejton për ngritjen e një nënkomisioni parlamentar, pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat për shqyrtimin e raporteve të KLSH-së dhe zhvillimin në mënyrë periodike të dëgjesave parlamentare për vlerësimin e veprimeve korrigjuese të ndërmarra nga institucionet e audituara për implementimin e rekomandimeve të KLSH-së.