Ministria e Financave parashikon të financojë rreth 91 miliardë lekë në tregun e brendshëm financiar për tremujorin e tretë të vitit.

Sipas kalendarit të emetimeve, huamarrja do të shënojë një rritje të lehtë me rreth 1.3% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, huamarrja do të jetë ndjeshëm më e lartë, me rreth 14% më shumë. Megjithatë, ky ndryshim vjen kryesisht për shkak se deficiti buxhetor në gjysmën e dytë të vitit të kaluar u mbulua kryesisht nëpërmjet eurobondit të qershorit 2020, që zëvendësoi një pjesë të mirë të huamarrjes së brendshme.

Diferenca e vogël mes borxhit të financuar nga njëri tremujor në tjetrin nuk pritet të shkaktojnë presione të mëdha për rritjen e yield-eve, që aktualisht janë në nivelet më të ulëta të dy viteve të fundit. Gjendja likuide e sektorit bankar dhe politika monetaremë stimuluese se kurrë më parë e ndjekur nga Banka e Shqipërisë kanë bërë që oferta e parasë në treg të jetë e lartë, ndërsa yield-et e titujve me emetime më të shpeshta, si bonot 12 mujore, të bien në nivelin më të ulët prej qershorit 2019. Orientimet e bankës qendrore për të ardhmen e afërt sinjalizojnë vijimin e të njëjtit kurs të politikës monetare dhe për momentin tregu po i përkthen këto sinjale në ruajtjen e yield-eve pranë niveleve më të ulëta historike.

Gjatë tremujorit të tretë, Ministria e Financave ka planifikuar dy emetime të reja të obligacioneve 7 vjeçare dhe 10 vjeçare, për një vlerë prej 5 miliardë lekësh për secilin nga këto instrumente. Obligacionet afatgjata të qeverisë shqiptare janë instrumente që përgjithësisht tërheqin interes të lartë nga investitorët të cilët tentojnë kthime më të larta nga investimit, përfshi këtu investitorët institucionalë, si fondet e pensioneve apo investimeve.

Pjesa më e madhe e huamarrjes vjetore konsiston në rifinancimin e instrumenteve të maturuara, ndërsa vetëm një pakicë janë borxh i ri i emetuar gjatë periudhës. Borxhi i ri merret kryesisht nëpërmjet obligacioneve afatgjata, në vijim të strategjisë për zgjatjen e maturitetit mesatar të portofolit të borxhit. Kjo strategji ka si qëllim të ulë rrezikun e rifinancimit të shpeshtë, por edhe për të përfituar nga epoka e normave të ulëta të interesit.

Buxhetit i vitit 2021 parashikon një deficit buxhetor në vlerën e rreth 109 miliardë lekëve, me një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2020. Megjithatë, Ministria e Financave parashikon që deficiti i ri i financuar me tituj të borxhit të brendshëm do të jetë rreth 50 miliardë lekë, vlerë kjo e njëjtë me vitin e kaluar. /E.Shehu