Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit, pas disa videove të postuara në rrjetin social “TikTok” të Enkeleda Kapedanit.

“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E.K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.

Ndërkohë, media kontaktoi gjyqtaren, e cila u shpreh se nuk ka asnjë përgjigje lidhur me nisjen e hetimeve nga ILD, ndërsa theksoi se nuk e di se kush i ka shpërndarë videot. “Unë nuk kam TikTok”, tha Enkeleda Kapedani.