Nga Zija VUKAJ

_____

Letërsia artistike, si univers i artit të fjalës, ka si funksion parësor edukimin estetik dhe funksion “dytësor” praktik zhvillimin, pasurimin, përsosjen dhe mbajtjen gjallë të gjuhës. Kjo ndodh me çdo gjini e lloj letrar. Në këtë gjithësi duket sikur romani historik bën një përjashtim. Përveç dy funksioneve të sipërpërmendura romani historik ka edhe një funksion tjetër: funksionin e monumentalizimit të figurave, ngjarjeve apo epokave të lavdishme të historisë së një kombi. Gjenia njerëzore ka ngritur nëpërmes të gjitha arteve dhe mjeteve të tyre përkatëse monumente me synimin që të përjetësojnë lavdinë dhe të paraqesin për brezat e ardhshëm modele arketipale që frymëzojnë idealet më të larta njerëzore. Në këtë aspekt, arti i fjalës ka rezultuar shpeshherë si më i sigurti dhe i pazhbëshmi, që nga Gilgameshi, Homeri, eposet, sagat etj.
Letërsia jonë i ka të hershme fillimet e romanit historik, qysh me Marin Barletin e këndej dhe me sa duket lëvrimin e këtij zhanri e ka imponuar vetë historia, antropologjia, shpirti dhe rrugëtimi i vështirë i kombit tonë. Ashtu si edhe në kultura të tjera romani historik shqiptar është roman individësh të shquar, që nga heroi kombëtar e deri tek heronjtë e kohës së re. Po kështu, edhe autorët e këtij zhanri kanë qenë ndër penat më rilevante të letërsisë shqiptare. Në këtë panteon artistësh zë vend me dinjitet edhe autori Sulejman Krasniqi, me të gjitha veprat e tij kushtuar kësaj tematike, ndër të cilat do të veçonim romanin “Oso Kuka”. Ky roman, i botuar në vitin 1990 pasuroi më tej opusin e veprës së autorit Krasniqi, por edhe fondin elitar të këtij romani në letërsinë tonë.
Vepra ka në fokus një figurë mjaft interesante dhe komplekse, atë të Oso Kukës. Ky individ me aureolë thuajse legjendare u stampua në memorien historike dhe kolektive të Shkodrës dhe të gjithë shqiptarisë për bëmat epike, që kulmojnë me aktin sublim të vetësakrifikimit. Shpirti i popullit e gdhendi herët në këngë, tregime e legjenda. Gjergj Fishta i kushtoi një vend shumë të rëndësishëm në veprën madhore “Lahuta e Malcis’” dhe romani “Oso Kuka” i Sulejman Krasniqit vjen për ta plotësuar dhe dritësuar plotësisht këtë hero.
Duhet theksuar se kjo vepër vjen në kohën e një pjekurie të lartë artistike të këtij shkrimtari. Kompozimi i saj kalon nëpër disa piketa, të cilat shpesh paraqiten si sfida. Së pari, në çfarëdo raporti qoftë fakti me trillimin, është e pashmangshme të ndërtohet kronotopi i saj; të njihet konteksti historik dhe hapësinor. Të dyja këto kolona të rënda mbi të cilat është ngritur vepra, kanë kërkuar njohje të përimëtuara, studime dokumentare, ristudime tekstesh historie, shfletime arkivash, fokusime të ngulëta në dinamikat e ngjarjeve, personazheve, rrethanave politike e diplomatike, individëve realë që kanë sunduar kohën e deri tek populli me galerinë e personazheve të të gjitha llojeve, shumica autorialë, por edhe tek- tuk të vërtetë sidomos si personazhe ide. Tjetër është pastaj njohja dhe ringritja e teatrit të veprimeve me disa skena: skena e qytetit me gjithë toponiminë e vet krejt të saktë, skena e kalasë me strukturën dhe funksionin e vet, skena e ishullit të Vraninës, aty ku luhet finalja e kësaj tragjedie madhështore. E midis gjithë kësaj telajoje të komplikuar, plot dritëhije dhe me shumë kolorit, spikat vegimtare, imponuese me rrezatim prej ylli figura e protagonistit Oso Kuka.
Tjetër piketë mbi të cilën është kompozuar vepra është raporti mes faktit dhe fiksionit artistik. Ky raport, në shkrimtarë të ndryshëm paraqitet i ndryshëm. Kjo ka lidhje me AND- në e autorit. Ka autorë “të ftohtë”, flegmatikë, të përmbajtur, që nuk “rrëmbehen” lehtë nga emocionet. Si të tillë, ata e ruajnë të ngushtë distancën që ka libri i historisë me romanin ose, nuk e letrarizojnë shumë historinë dhe protagonistin. Por, përveç natyrës së shkrimtarit, mund të bëhet përcaktues qëllimi që ka autori për ta paraqitur realitetin dhe protagonistin në dritën e shikimit të vet. Kemi si shembull “Historinë e Skënderbeut” të Barletit dhe “Historinë e Skënderbeut” të S. Godos; i pari ekzaltim, i dyti racionalitet. Në ç’raport janë historia me letërsinë, me artin e fjalës në romanin “Oso Kuka”?
Çdo lexues që e njeh krijimtarinë e Sulejman Krasniqit e di mjaft mirë se kemi të bëjmë me një autor shumë erudit, me një krijues sistematik dhe shestues i rrallë i ngehinës arkitekturore të prozës së gjatë, kaq e vështirë për t’u mbajtur nën fre. Dhe ia ka dalë më së miri. Por Krasniqi është edhe autor me një shpirt të ndezur poetik, ku hera- herës shkulmet e llavës patriotike e bëjnë të zhytet në imagjinatën e hijshme të skenave të gjalla e plot kolorit të jetës. Konkretisht, Oso Kuka i tij është krejt original. Nëse historia, gojëdhënat, këngët, Fishta vetë, në “Lahutë” na kanë dhënë te ky personazh figurën e një fatosi, portretin e rreptë deri në egërsi të një luftëtari spartan dhe të një udhëheqësi luftarak, Krasniqi ka dhënë aspektin njerëzor, human, empatik, të ndjeshëm. Këtë autori e ka realizuar bukur përmes linjës së një dashurie idilike të Osos me vajzën e bukur Sevdije, një dashuri e vrarë tragjikisht që në një plan na kujton një hijezim të Milosaos:
“Në sytë e saj plot shkëlqim lexoje mirësi, ëmbëlsi, dashuri, ngrohtësi. Prandaj Osoja jetonte një gjendje të paprovuar kurrë më parë. Sevdija ulej në anë të shtratit të tij. Osoja i zemërohej zemrës së vet që në ato raste i regëtinte me rropamë. Pyeste veten memecërisht mos ato rrahje zemre i vinin nga zjarrmia e plagës apo nga gulshet që i trazonte dora e butë me ata gishtërinjtë e gjatë të Sevdijes.” (Fq.69)
Edhe në Vraninë, ku luhet epilogu autori Krasniqi ka dhënë përmes një proze poetike mjaft elegante skena heroike dhe portrete mahnitëse luftëtarësh:
“E t’i shikoje ata njerëz me teshat lyer në gjak! Me gjakun të piksur! Në sytë e secilit të bëhej se shndriste një diell! Në fytyrat e të gjithëve lodronte vezullimi i ngadhënjimit mbi vdekjen! Ishte valle të pamposhturish! Ferid Hoti si trimi që kishte më shumë plagë në trup, rrotullonte shpatën majtas, djathtas e përpara me sokëllima të tilla, sa të çohej mishi këpushë kur e shikoje!” (Fq.341)
Ansambli i personazheve është dhënë mjaft i harmonizuar. Ata kanë profile të dallueshme dhe shumica prej tyre kanë qenë persona realë, pavarësisht emrave artistikë. Këta janë personazhe me veti të spikatura, me nga një tipar dominues, që shprehet më shumë në veprimet se sa në fjalët e tyre. Ata vijnë të paraformuar si tipa të çdo kohe e vendi. Por sipas një përfytyrimi të paravendosur edhe në reflektimet popullore, si dhe tek Fishta, gjithë ansambli i heronjve është plani i dytë për të ndërtuar sfondin mbi të cilin ngrihet figura e madhërishme e protagonistit Oso Kuka.
Një element, mbase abondant, është ekzaltimi që shfaqet në skenat finale të librit. Në një dinamikë ankthi, ku sekondi kushton një përjetësi ngjan si e tepërt, në mos e pamundur që Osoja të rreshtojë me kujdes trupat e të vrarëve apo përjetimi i betejës me këngë dhe patetizma paksa të pamundura dhe mbase edhe të pavend.
Një procedim mjaft efikas, që krijon frymëmarrje e larmi është edhe interteksti që autori e ka futur në dy forma: 1) “Nga defteri i Oso Kukës”; dhe 2) “Buletini i Shkodrës”. I pari një ditar retrospektiv që jep informacione interesante për protagonistin; i dyti një periodik virtual që luan rolin e një undergroundi ku shpaloset një galeri e larmishme personash dhe bëmash.
Përfundimisht autori ka ndërtuar një raport mjaft të studiuar mes elementëve strukturorë dhe konceptualë, duke i dhënë profilit madhështor të Oso Kukës hijezime tokësore, për ta bërë edhe më të afërt, të prekshëm e human këtë individ me përmasat e një entiteti të pashmangshëm të historisë sonë kombëtare.

Sulejman Krasniqi

(Pikturë e Faton Kryeziut)