Alban Meneri 51 vjeç, banues në Tiranë është vënë në pranga për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.

Alban Meneri gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte në pjesën e qafës, duke i shkaktuar dëmtime në laring, fqinjit të tij, shtetasin Nikolin Staka 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në banesë.

Gjithçka ka nisur pasi autori i dyshuar i ngjarjes është zënë me një grua për një vend parkimi. Viktima ka dëgjuar sherrin dhe ka dalë në ballkon e i ka kërkuar autorit që të mos zihet me një grua.

Sipas dëshmitarëve, Alban Meneri i ka thirrur viktimës që të zbriste poshtë. Staka ka zbritur për të qetësuar situatën, por nuk e ka pritur që do konfrontoheshin fizikisht.

Pas sherrit, i kanë ndarë njerëz të tjerë dhe secili është larguar në hesap të vet. Nikolin Staka ka gjetur vdekjen në banesë pasi sipas akt-ekspertizës paraprake ka pasur hemorragji të brendshme si pasojë e goditjeve që ka marrë nga Alban Meneri.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.