Një operacion mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane çoi në zbulimin e një skeme financiare të një grupi kriminal në fushën e pastrimit të parave.

SPAK njoftoi këtë të premte arrestimin e dy personave, dhe shpalljen në kërkim të një të treti, të akuzuar për pastrim parash dhe grup kriminal. Të arrestuarit janë Artur Balla dhe Bledar Lilo. Ndërsa në kërkim është shpallur biznesmeni i naftës, Rezart Taçi.

Kjo skemë financiare drejtohej nga dy italianë, një zviceran dhe një shqiptar.

SPAK thotë se gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Autoritetet kanë sekuestruar po ashtu një shumë monetare prej mbi 18 milionë euro.

Në mesin e të arrestuarve është Francesco Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, ish-ortak i mafiozit të Cosa Nostras, Vito Ciancimino, i dënuar në të shkuarën për vepra të ndryshme penale dhe i hetuar edhe nga Giovanni Falcone.

90-vjeçari është lënë në arrest shtëpie.

I arrestuar po ashtu është edhe sipërmarrësi italian Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrateje nga Palermo. Mediat italiane sqarojnë se shqiptarët kanë ndihmuar Zummon dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet financiare.

Hetimi për këtë grup nisi nga Prokuroria e Palermos në bashkëpunim me atë të Napolit dhe SPAK.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, ka regjistruar procedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.  

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me shtetasin italian Fabio Petruzzella, të shtetasit zviceran me origjinë italiane Daniele Castagalli, si dhe të shtetasit shqiptar Rezart Taçi, i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin nr.93, datë 07.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

Caktimin ndaj personave nën hetim Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, si të dyshuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) e (dh), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.   

Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 12.11.2021 masën e sigurimit personal të vendosur ndaj Artur Balla dhe Bledar Lilos.

Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.