Një konflikt banal mes dy mësueseve të shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” ka rezultuar me një të arrestuar, pesë të proceduar dhe një në kërkim në Tiranë. Kjo ngjarje e rëndë pasi është konfirmuar nga organet kompetente ka sjellë edhe reagimin e Zyrës Vendore Parauniversitar Tiranë që ka kërkuar nga shkolla mbledhjen e komisionit të etikës. Në këtë mbledhje është marrë vendimi për pezullimin nga puna e dy mësueseve, Domenika Toptani dhe Elida Qenami derisa ngjarja të zbardhet plotësisht.

“Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cënojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Zyrës Arsimore.

Si degjeneroi sherri mes dy mësueseve në Tiranë

7 persona u dhunuan me sende të forta në mes të rrugës, ndërsa një prej tyre qëlloi me armë në ajër.

Policia e Tiranë në një informacion për mediat këtë të martë për ngjarjen në fjalë tha se kishte vënë në pranga Edmond Fajën. 39-vjeçari dyshohet se është personi që qëlloi në ajër. Ndërkohë të proceduarit janë Elton Kasaj, Enrik Qenami, Enea Kovaçi, Ndriçim Qefalija, Laert Duro. Në kërkim është shpallur Alvaro Toptani.

Zyrtarisht policia thotë se gjithçka ka ndodhur pas një konflikt banal mes dy mësueseve të gjimnazit Çajupi, Domenika Toptani dhe Elida Qenami, të cilat pasi janë përballur verbalisht, për të sqaruar konfliktin kanë thirrur familjarët tyre.

Zyrtarisht, policia thotë se “nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në afërsi të një shkolle në rrugën “Kongresi i Manastirit”, fillimisht janë konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta (për vend qëndrimi në lokal) Elida Qenami 46 vjeçe dhe Domenika Toptani, 53 vjeçe. Më pas janë përfshirë në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmit përkatës të tyre. Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”.

Ndërkohë po këtë të martë, Ministria e Arsimit njoftoi pezullimin nga detyra të dy mësueseve.