Eldi Dizdari, një personazh i përfolur si i përfshirë në disa ngjarje kriminale, është arrestuar në Dubai gjatë një operacioni ndërkombëtar ku kanë marrë pjesë policitë e 10 shteteve.

Operacioni në fjalë i koduar “Los Blancos” goditi një organizatë të trafikut ndërkombëtar të kokainës të drejtuar nga shqiptarët, ku janë arrestuar dhjetra persona.

Ky aksion u drejtua nga autoritetet italiane të Firences dhe u zhvillua nën koordinimin e Europol dhe Eurojust.

20 persona janë arrestuar në total, nga të cilët 6 janë shqiptarë. Pesë prej tyre janë arrestuar në Shqipëri. Ata janë G. M., 35 vjeç, E. J., 27 vjeç, J. Ll., 31 vjeç, R. I., 33 vjeç dhe V. L., 40 vjeç. Ndërsa në Dubai është arrestuar pikërisht Eldi Dizdari.

Hetimi për këtë operacion ka nisur 5 vite më parë dhe konsiderohet si më i madh kundër një organizate të drejtuar nga shqiptarët. Gjatë aksionit, autoritetet policore kanë sekuestruar rreth 4 ton kokainë dhe më shumë se 5.5 milionë Euro cash.

Kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës

Sipas Europol, kjo organizatë e shqiptarëve kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës, duke filluar që nga dërgesat e “pluhurit të bardhë” nga Amerika e Jugut e deri tek shpërndarja e lëndës narkotike në të gjithë Evropën. Kreu i organizatës është një 40-vjeçar shqiptar që qëndron në Ekuador. Ai negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut dhe më pas organizohej puna për dërgesat e mëdha të kokainës nëpër portet e Europës. Më pas, hynin në lojë pjesa tjetër e anëtarëve të organizatës kriminale të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri të cilët kishin për detyrë shpërndarjen e kokainës në të gjithë Europën. Droga trafikohej përtej kufijve të shteteve evropiane me makina të modifikuara të pajisura me vende të posaçme për të fshehur kokainën.

Kush është Eldi Dizdari

Eldi Dizdari ishte shpallur në kërkim edhe për vrasjen e ndodhur në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë më 4 Tetor 2018, ku u përfshinë Ervin Mata, Ervis Martinaj dhe persona të tjerë. Nga përplasja me armë, mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Eljon Hato e Ervis Martinaj.

Sipas hetuesve shqiptarë, konflikti para dy vitesh në ish-Bllok që përfundoi me një të vrarë dhe të plagosur, mendohet se nisi për shkak të Eldi Dizdarit për prishjen e pazareve të drogës. Që prej asaj kohe kur dhe u shpall në kërkim, ka dyshime se Eldi Dizdari jetonte në Dubai ku dhe u arrestua së fundmi.