Në faqen zyrtare të saj, Ambasada e Shqipërisë në Athinë ka publikuar këtë status për shkrimtarin e mirënjohur Grigor Jovani që jeton e krijon atje.

_____


✍️ 𝑯𝒊𝒔𝒕𝒐𝒓𝒊 𝒔𝒖𝒌𝒔𝒆𝒔𝒊 – 𝑮𝒓𝒊𝒈𝒐𝒓 𝑱𝒐𝒗𝒂𝒏𝒊

📄 U lind më 1 prill 1959, në Jergucat të Gjirokastrës, ku kaloi fëmijërinë e hershme, ndërsa rininë e tij e kaloi në Berat e më pas, në Laç. Përveçse një nxënës i shkëlqyer Grigori ishte edhe një talent shumë i mirë letërsie.

🖋️ Poezia e parë e tij, u botua në gazetën “Pionieri”, botim i cili, do t’i përcaktonte gjithë të ardhmen. Me ulje ngritjet e një adoleshenti çapkën, poezia e ndihmoi të njihej në rrethet letrare të qytetit. Kështu bashkëpunoi me shtypin lokal, mori pjesë me tekste në festivalet lokalë dhe kombëtarë, fitoi çmime të para në konkurset poetike në rreth dhe kjo bëri që të pranohej kandidat në Lidhjen e Shkrimtarëve, diҫka e pazakontë për moshën e tij.

📇 Gjatë studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës vazhdoi të shkruante, duke fituar çmime të para në konkurset studentore në Shkodër dhe Tiranë, në ato të degëve të Lidhjes së Shkrimtarëve në Krujë dhe Shkodër, bashkëpunoi më shpesh me shtypin letrar dhe politik dhe Lidhja e Shkrimtarëve, dega Krujë, e bëri anëtar të saj.

👉 Mbarimi i studimeve i solli emërimin në zonën e Repsit, malësive të Mirditës, ku shkroi monografinë e Heroit të Popullit, Mustafa Kafaçi, përgatiti Ansamblin Folklorik “Kastrioti” për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, i cili fitoi vendin e parë. Më pas u emërua në Mirditë korrektor gjuhësor dhe redaktor për art-arsim-kulturën, duke plotësuar ëndrrën e tij e dytë të madhe gazetarinë, e cila do ta shoqëronte gjithë jetën ku punoi katër vjet.

📆 Në dhjetor të vitit 1990, për arsye shëndetësore niset drejt Greqisë. Nis një jetë e re në atdheun e ri. Fillimisht punoi në punë të rëndomta, por dalëngadalë u përfshi në jetën sociale. Bashkëpunoi me gazetën e parë shqiptare në Greqi, “Egnatia”, më pas me “Zëri i Emigrantit”, “Rilindja XXI”. “Triti Septemvriu”, “Tribuna”, revista “Pelegrini”. Gjatë luftës së Kosovës ishte pjesë e disa paneleve televizive ku ngjalli kundërshtime me qëndrimet e tij.

✍️ Përveҫ profesionit të gazetarit nuk la pas dore edhe pasionin e tij të parë letërsisë duke u bërë pjesë e jetës letrare të krijuesve shqiptarë në Greqi. U bë anëtar i përhershëm i kryesive të Shoqatave dhe Klubeve të Shkrimtarëve, “Drita” dhe “Litter-Art”, madje edhe zëdhënës shtypi i tyre. Së bashku me disa miq të tjerë shqkrimtarë në diasporë themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Greqi “Together”, ku u zgjodh kryetari i parë i saj. Gjithashtu hapi revistën “Pegasi”, revistë tremujore letraro-artistike, e cila synonte promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në të gjithë diasporën.

📚 Gjatë karierës së tij artistike Grigor Jovani ka botuar pesë libra poetikë, të gjithë gjatë jetës në Greqi, “Botë pa dashuri, “Punishtja e ëndrrave”, “Udhëtoj brenda vetes”, “Blu e thellë” dhe “Vreshtat e Dionisit. Dy romane, “Ura e Mbretit” dhe “Jackpot”, pesë libra në prozën e shkurtër dhe tre me publicistikë artistike. Poeti Jovani është edhe një përkthyes mblresëlënës. Ai ka përkthyer librin poetik “Monologë” të Milan Kunderës. Por nuk krijimtaria e tij nuk është kjo. Grigori, ka edhe rreth 1000 poezi të pabotuara, të cilat presin radhën. Gjatë karierës së tij letrare në Greqi, Grigori ka fituar vende të para në konkurset e organizuara dhe është përfshirë në disa antologji të botuara në diasporë. 🥇

👉 Aktualisht e ndan jetën midis Athinës dhe Lutrakit. Ai ka një vajzë, Afrodhitin, e cila ka zgjedhur udhën e të atit.

#HistoriSuksesi👏 #KrenariShqiptare✨
_____

Ndërsa Grigor Jovani ka falënderuar nëpërmjet Fb të tij, Ambasadoren e Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga.