Vrulli i ri i pandemisë koronavirus në Europë nuk po frenohet. Në vetëm 3 ditët e fundit, Spanja ka regjistruar 20 mijë raste të reja me koronavirus, për një total prej më shumë se 400 mijë të prekurish.

I ulët mbetet niveli i vdekshmërisë, edhe pse bilanci shkoi 28800 jetë të humbura. Ministria e shëndetësisë në Spanjë paralajmëroi masa drastike në Madrid nëse situata do të përkeqësohet. Shumica e rasteve të reja janë në kryeqytet dhe ministri, Fernando Simon, nuk përjashtoi mundësinë e një izolimi të ri apo masave të tjera kufizuese për lëvizjen e banorëve.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi të martën se qeveria spanjolle po përgatiste ushtrinë për të ndihmuar vendin në luftën ndaj një tjetër vale të koronavirust.

“Qeveria spanjolle do vendosë në dispozicion forcat e armatosura për të ndjekur rastet me anë të strategjisë së gjurmimit”, tha ai gjatë një konference, duke specifikuar se për këtë arsye do të vendoseshin 2,000 ushtarë në detyrë.

Sanchez tha se pandemia në Spanjë po zhvillohej me ritme shqetësuese, megjithatë theksoi se vendi është larg situatës së marsit, kur Spanja ndërmori masat më të rrepta në Evropë për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Ne nuk mund të lejojmë që pandemia të na kontrollojë përsëri, ne duhet të përgatitemi për një valë të dytë”, tha kryeministri spanjoll, ndërsa u kërkoi qytetarëve të shkarkonin aplikacionin e quajtur “RadarCovid” për të ndihmuar në sistemin e gjurmimit.

Përhapja e shpejtë e Covid-19 frikëson edhe Gjermaninë. Qeveria e Berlinit vendosi rajonin e Parisit dhe disa të tjerë në jugun e Francës në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe u kërkoi gjermanëve që të shmangin udhëtimet drejt këtyre zonave.

Presidenti, Emmanuel Macron, mbajti një mbledhje të këshillit të mbrojtjes ku diskutoi për rritjen e nivelit të qarkullimit të virusit në popullatë. Zyrtarët e Shëndetësisë e informuan atë se shkaku kryesor janë të rinjtë që nuk respektojnë shumë nga udhëzimet në fuqi si mbajtja e maskës dhe distancimi social.