Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare Shqiptare të Informacionit, Linda Karçanaj, e ftuar në emisionin Opinion, është shprehur se shumë shpejt do të zbardhet çështja e rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve.

Sipas drejtoreshës së AKSHI-t, ky skandal nuk ka të bëjë me hakim të sistemit, por me vjedhje nga persona të brendshëm siç dyshohet deri më tani.

“Ajo që ka ndodhur është shumë shqetësuese. Në analizë paraprake nuk na rezulton që është hakim, por i kemi dhënë Prokurorisë të gjithë informacionin që disponojmë, jam besimplotë që shumë shpejt do zbardhet e vërteta.

Janë shumë institucione që kanë të dhëna sensitive. Nuk kemi ne akses në të gjitha këto, por mirëmbajmë nga pikëpamja teknike. Ne kemi çelësin e sistemit teknik të rrjetit”.

Drejtoresha e AKSHI-t shtoi se ai person që ka ndërhyrë në sistem duke marrë të dhënat personale të qytetarëve, siç janë rrogat dhe numri i kartës së identitetit, ka lënë gjurmë.

“Patjetër që besoj është lënë gjurma. Gjurma identifikon të gjithë procesin që ka ndodhur duke u bazuar në loge. Çdo account është emër, mbiemër”.