Një ditë pas zyrtarizimit të trajnerit Skënder Gega, klubi i Kukësit ka bërë me dije se FIFA i ka bllokuar merkaton e verës. Një lajm i keq për këtë skuadër dhe tifozët e saj. Shkak për këtë situatë është bërë ankimimi i një ish-futbollisti, kroatit Filip Zhderiç, i cili ka luajtur me Kukësin në sezonin 2018-2019. Ai e ka çuar Kukësin në gjyq me pretendimin se nuk është paguar.

Këto pretendime hidhen poshtë nga klubi kuksian, që sqaron se e ka çuar çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sporti (KAS), me besimin se do të fitojë dhe se merkatoja do të zhbllokohet. Nëse ndodh kështu gjithçka është në rregull, në të kundërt trajneri Gega do të përballet me një problem të madh që pa nisur punën. Nga Kukësi është larguar zyrtarisht sulmuesi Vasil Shkurtaj. Edhe Kristal Abazaj pritet të bëjë të njëjtën gjë, por edhe ndonjë lojtar tjetër.

Njoftimi zyrtar i klubit
Kukësi kërkon të sqarojë opinionin sportiv në lidhje me një vendim të dhënë nga FIFA në muajin janar, ku është bllokuar merkatoja jonë për shkak të një ankimimi të ish-futbollistit tonë, Filip Zhderiç. Është e vërtetë që në klub ka ardhur një vendim i tillë, mirëpo ky vendim është i pakuptimë dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për ta çuar çështjen deri në fund. Ky vendim tashmë është në KAS dhe është pikërisht kjo gjykatë që do të thotë fjalën e fundit.
Klubi siguron se nga kjo çështje do të dalim të fituar, sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë. Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, por ai ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar, duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe). Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqipëria dhe duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar. Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në KAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin”.

©Copyright Vala News