“Po pres të më dalë rekomandimi për të bërë testin e shpejtë. Mirë që e kemi qëndrën larg, por dhe po na vonon. Mjekja më tha se është ngarkuar sistemi e do pak kohë të përcaktohet orari,” tregon Mimoza, një grua 40 vjeçare e cila qëndron në hyrje të qëndrës shëndetësore nr 9, në kryeqytet.
Futja e testeve të shpejta në qytetin e Tiranës bëri që sistemi shëndetësor i rekomandimeve të bllokohej menjëherë pas ditës kur Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se ku do të ishin pikat e testimit të shpejtë.
Kjo ngarkesë tregon se rastet e dyshimta në kryeqytet nuk janë të pakta, për të mos përmendur faktin se mjekët e familjes janë aq të ngarkuar sa nuk mund të flasin.
Ndërkohë mjekët e familjeve më herët kanë treguar se janë lajmëruar se testet e shpejta do të nisnin që prej datës 10, me anë të një mesazhi. Ata do të rekomandojnë pacientët, ndërsa në qendrat shëndetësore të përcaktuara janë vendosur mjekë epidemiologë për marrjen e provëzave.

Ndërkaq, Mimoza qëndron veçmas nga qytetarët e tjerë për kontrrolle pasi, hyrja e pacientëve të dyshuar për Covid-19 është e veçantë.
Kur e pyeta Mimozën se nga kishte ardhur më tregoi se jetonte në zonën e Bllokut dhe mjeku i familjes i kishte thënë se duhet të vinte në rrethrrotullimin e 21-shit.
“Jam pa fuqi dhe mora autobuzin për të ardhur deri këtu. Nuk kisha cfarë të bëja tjetër se nuk vija dot në këmbë deri këtu. Këtu po pres akoma, jam shumë e këputur. Mbase mbaroj shpejt e të iki,” tha ajo duke ulur kokën nga lodhja.
Duke shtuar përpjekjet për të biseduar me mjekët e familjes, kalova në qëndrën shëndetësore numër 6, ku përballem me të njëjtën situatë. Personat që presin për të bërë testin e shpejtë qëndrojnë veçmas dhe hera herës flasin në largësi me njëri-tjetrin për simptomat që kanë.

“Jemi në pritje të rekomandimit, sepse ka vonesa. Unë jetoj në Pezë, por më drejtuan në Kombinat. Këtu më thanë se vinë edhe nga periferitë e ndaj ka ngarkesë,” tregon një djalë i ri 28 vjeçar që qëndron përballë qendrës.
Ai shpjegon se ka 3 ditë me simptoma, kryesisht dhimbje koke dhe temperaturë, por nuk i kishte kushtuar rëndësi deri sa i kishte nisur dhe kolla.
28-vjeçari tregoi se kishte ndjekur udhëzimet e mjekut, duke marrë vitamina e paracetamol.
“Po bëj tre ditë që nuk kam dalë nga shtëpia. Edhe sot që dola isha me mëdyshje sepse po të kem virusin e shpërndaj. Nuk kisha si të veproja, dëgjova mjekun,” tregon ai.

Por përpos merakut të këtyre pacientëve, ekspertët e shëndetit publik në vendin tonë kanë bërë thirrje gjithnjë se spitalet dhe qendrat shëndetësore duhet të jenë vendet më të mbrojtura dhe për to duhet pasur më shumë kujdes. Kjo duket sikur ka mbetur pak jashtë fokusit me futjen e testeve të shpejta.
Mes frikës së përhapjes së virusit dhe testimit të domosdoshëm në komunitet, edhe qytetarët duket që janë të dyzuar, nuk dinë se çfarë të bëjnë. Bashkë me nisjen e testit të shpejtë ka nisur edhe një tjetër shqetësim.