Ashtu si Europa, edhe Shqipëria nuk po e kontrollon dot valën e dytë të koronavirusit.

Katër persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri në 24 orët e fundit, duke e çuar në 469 numrin total të viktimave të Covid-19 në vendin tonë.

“Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 21-vjeçar nga Elbasani me disa sëmundje bashkëshoqëruese, i cili po trajtohej në terapi intensive i intubuar në spitalin COVID2. Nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen edhe prof. Elmaz Elezi, mjeku i njohur 85-vjeçar, ish-drejtues i klinikës infektive në QSUT. Nuk ka mundur të mbijetoje në 24 orët e fundit edhe një 49 vjeçar nga Elbasani dhe një 70-vjeçar nga Kurbini me sëmundje shoqëruese”, deklaroi MSH.

Ministria e Shëndetësisë tha se në 24 orët e fundit, nga 1412 testime, rezultuan pozitiv 306 persona, tjetër rekord rastesh ditore. Në total, në Shqipëri janë konfirmuar 18556 raste, prej të cilave, 7621 aktive.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 179 raste në Tiranë, 25 raste në Korçë dhe Vlorë, 16 raste në Fier, 13 raste në Elbasan, 10 raste në Berat, 6 raste në Mirditë, 5 raste në Durrës, 4 raste në Kavajë, Mallakastër, Pogradec, 2 raste në Mat, Roskovec, Bulqizë, Peqin, 1 rast në Shkodër, Krujë, Lushnje, Rrogozhinë, Gjirokastër, Shijak, Patos.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 71 persona, ndërsa numri total i të shëruarve në vendin tonë shkon në 10466.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 260 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.