Siç pati paralajmëruar, Presidenti Ilir Meta ka nënshkruar ditën e djeshme dekretin që kthen në Kuvend rishqyrtimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Meta thotë se këto ndryshime janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën si dhe cënojnë parimet demokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesi ligjor.

Më tej Meta arsyeton se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bie ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15 kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare.

Për më tepër, sipas Metës, ndryshimet dëmtojnë klimën e bashkëpunimit mes forcave politike në vend, janë në kundërshtim me parimet e vendosura nga Komisioni i Venecias si dhe krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese. Sipas kreut të shtetit situata rendohet edhe me faktin që Gjykata Kushtetuese në Shqipëri mungon.

“Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare”, argumenton Meta, ndërsa shton se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të cenojnë në kushtet e vendosur nga BE-ja për integrimin europian.

Sipas Metës, rregullat e reja të lojës, përpiqen që të krijojnë një ambient elektoral që do të favorizojnë mazhorancën qeverisëse në procesin zgjedhor. Ato përbëjnë një rrezik që procesi paraeraelektoral, ai i fushatës, votimi, numërimit dhe ai ankimor të zhvillohet nën një klimë të polarizuar politike.

Meta shton më tej se ndryshimet në Kodin zgjedhor u realizuar në një kohë që Presidenti e kishte caktuar datën e zgjedhjeve duke prishur kështu rregullat e një procesi zgjedhor që tashmë ka filluar, në shkelje të parimeve demokratik. Në fund Meta thotë se “Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës”