NJERIU I RËNDËSISHËM
 
“Problemet më të mëdha në botë shkaktohen nga njerëzit që duan të jenë të rëndësishëm…”
TOMAS ELIOT
 
THOMAS STEARNS ELIOT
(Nobel, 1948)
IDENTITETI
 
U lind: 26 shtator 1888, St. Luis, Mizuri, SHBA.
Vdiq: 4 janar 1965, Londër, Britania e Madhe.
Profesioni: poet, eseist, kritik, shkrimtar teatri, botues.
Kombësia: amerikane (1888-1927), britanike (1927-1965).
Studimet: Universiteti i Harvardit, Merton College, Universiteti i Oksfordit.
Rryma letrare: modernizmi.
Veprat më të shquara“Kënga e dashurisë e J. Alfred Prufrock” (1915), “The Waste Land” (1922), “Katër kuartete” (1943), “Krim në Katedrale” (1935).
Çmimet më të rëndësishme: “Nobel” letrar (1948) dhe “Urdhri i Meritës” (1948).
kishte të gjitha, poet, kritik, dramaturg, redaktor dhe botues. Është ajo që themi me plot gojën dhe krejt të bindur, “Njeriu i rëndësishëm i Letrave”. Ai thoshte vetë se problemet në botë lindin nga mania e njerëzve për të qenë “të rëndësishëm”. Por nuk llogariste zotërinë e tij, qe edhe vetë i tillë. Dhe asnjë problem nuk i solli botës. Përkundrazi, pasuroi së tepërmi Letrat e saj, sidomos “mbretëreshën e tyre”Poezinë.
Konsiderohet njëri nga poetët më të mëdhenj të shek. 20-të. Tek Poezia Moderne Anglofone është figura bazë dhe askush deri tani “nuk e ka rrëzuar nga muri”.
Bir i një familjeje të pasur në Mizuri të Amerikës, u shpërgul në Angli më 1914, 25 vjeçar. Atje “u nikoqireps”, punoi në një bangë dhe u martua. Ndërkohë, shkruante poezi dhe krritikë letrare. 39 vjeçar, më 1927, u bë shtetas britanik, duke mohuar nënshtetësinë amerikane.
Tërhoqi menjëherë drita e vëmëndjes drejt tij me poemën “The Love Song of J. Alfred Prufrock”, më 1915, fillimisht negativisht. Shkaktoi valë kundërshtimesh dhe kritikash nga puritanistët letrarë të kohës.Më vonë, kritika dalloi mrekullitë artistike brenda kësaj vepre, të cilat nuk u kuptuan fillimisht, sepse përbënin risi letrare për kohën. Erdhën më vonë poemat e tjera dhe “Katër kuartetet”. Shpërtheu edhe si eseist dhe kritik letrar – shtatë libra me ndikim të jashtëzakonshëm në gjërat letrare të kohës. Britania qe përulur para Tij. Ishte “mbreti” i saj i ri i Poezisë.
Më 1948 iu akordua Çmimi “Nobel” për Letërsi“për kontributin e rëndësishëm, risitë që sillte në poezinë moderne.”
Nganjëherë, “njerëzit e rëndësishëm” nuk janë kaq të rrezikshëm për Botën.
 
VEPRA
Ç’la pas, ç’mesazhe filozofike i kumtoi botës vepra poetike e Tomas Eliot-it? Ndër të tjera, na mësoi se… kjo është mënyra, me të cilën mbaron bota: jo me një klikim, por me një ankim… Pastaj, ato ravijëzime të jashtëzakonshme karakteri  të “Burrit të Vrazhdë” të tij, kanë ndikuar lexues të gati një shekulli, qyshkurse u shfaq kjo vepër. Të tjera? Prilli është muaji më i ashpërr, qyshkur doli “The Waste Land”, sikundër edhe pas “The Love Song of Alfred Prufrock”, fjalët e vargëzuara të këtij poeti kanë depërtuar tashmë në gjakun tonë dhe janë bërë të zakonshme dhe të nevojshme, si e përditshmja.
Brenda poezive dhe poemave të këtyre librave, Eliot, ftuar nga nevoja e ngutshme për rilindje shpirtërore të njeriut bashkëkohës, transformoi letërsinë moderne në një opsion të guximshëm dhe largpamës,gjithmonë në shërbim të njerëzimit, në vend të një sistemi kulturor në zvenitje e sipër.
Pikërisht për këtë arsye, iu akordua “Nobeli” i Letrave.
“THE WASTE LAND”
(Vendi i Shkretëtirës)
 
Lufta – “një grumbull ikonash të thyera…”
Është një kryevepër artistike, që injoron kuptimin e lehtë. Fragmentarizmi strukturor i poemës, zërat e shumëanshëm, aludimet e gjëra kulturore dhe artistike, e kanë bërë këtë vepër të destinuar jo për lexuesit e thjeshtë, që “duan të kalojnë kohën”, por për ata që duan të marrin kumtet e duhura filozofike dhe letrare duke zhbirruar vëmëndshëm rreth saj, si edhe një “gjah” jo dhe kaq të lehtë për kritikët.
Ndërkaq, “Vëndi i Shkretëtirës” është një meditim rreth dëshpërimit dhe shkatërrimin e shoqërisë bashkëkohëse, në kërkim të kuptimit ekzistencional të një bote, e cila të jep idenë se e ka humbur këtë qëllim.
Poema ndahet në pesë pjesë. Seicila karakterizohet nga një ton dhe stil i veçantë.
E para“Varrosja e të vdekurve”, hapet me një përshkrim të zymtë të botës së pasluftës, e cila është “një grumbull ikonash të thyera”. Poeti përshkruan një botë të vdekur shpirtërisht, pa lidhje dhe komunikim brenda saj. Kapitulli mbyllet me ikonën e një detari të vdekur, që metaforizon humbjet njerëzore, por edhe të shpresës për një botë më të mirë, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.  
E dyta“Një lojë shahu”, paksa më intime se e para, paraqet karakteret e dy personazheve, që nuk mund të merren vesh midis tyre. Kapitulli u referohet shpesh veprave të Shekspirit dhe është i ndikuar prej tyre, veçanërisht prej “Antonit dhe Kleopatrës” dhe personifikon mungesën e komunikimit midis sekseve.
E treta“Predikimi i zjarrit”, ka në bazë të shqyrtimit tema që kanë të bëjnë me dëshirat dhe dëshpërimet e njeriut. Kapitulli mori emërtimin nga një predikim budist, që ka të bëjë me çlirimin prej dëshirave tokësore. Kjo është në sipërfaqe, se në brendësi të kësaj pjese, karakteret e poemës shfaqen të kapluara plotësisht prej këtyre dëshirave njerëzore. Kapitulli është, gjithashtu, një aludim për mitin antik grek të Teresias, i cili u shndërrua në grua dhe në vazhdim prapë në burrë, duke vërtetuar kështu para njerëzve pasigurinë e këtyre nocioneve dhe të identitetit.
E katërta“Vdekja nga uji”, më e shkurtra, përshkruan mbytjen e Flembas, një detari që përmendet edhe në pjesën e parë. Kapitulli aludon për kalueshmërinë dhe brishtësinë e jetës njerëzore.
Pjesa e fundit e poemës, e pesta, “Çfarë tha rrufeja”, është pjesa më e vështirë dhe enigmatike e veprës. Shumë e vështirë për t’u kuptuar dhe komentuar. Karakterizohet prej një sërë pasazhes të shkatërruara dhe aludimesh për dogma të ndryshme fetare. Mbaron me ikonën e një shkretëtire, e cila nënkupton boshësinë shpirtërore të Botës Njerëzore, pa një të ardhme të përcaktuar dhe shpresëlënëse.
——
VENDI I VDEKUR
(meditim)
Sa aktuale janë edhe sot vargjet mëposhtme, për një… “vend kaktus”, siç e parafrazon poeti nobelist. Ai vend, “mbretëria tjetër e vdekjes”… ku zgjohesh mëngjeseve pikërisht atë çast… teksa ndjeshëm je duke u dridhur. Me buzët, të cilat në vend që të puthin, u luten gurëve të thyer, të cilat shërbejnë për të ndërtuar statuja. Ndërsa yjet, të vetmet qirinj që mund të na ndriçojnë, vazhdimisht veniten. Për diell, as që bëhet fjalë.
Ah, ai vend, ai vend, që na shpon me gjëmbat e tij prej kaktusi! Gjithmonë i fortifikuar, armiqësor dhe i tjetërllojshëm përkundrejt botës. Ai vend që pranon vetëm lutjen e dorës së të vdekurve.
Ai vend i vdekur (mbase Atdheu ynë), që gjallon, megjithatë, nëpër zemrat tona… prej guri.
(Athinë,
mbrëmje e 4 janarit, 2021)
 
TOMAS ELIOT
“… Ky është vendi i vdekur.
Ky është vendi i kaktusit.
Këtu lartësohen statujat e gurta, këtu është ku pranojnë lutjen e dorës së një të vdekuri,
nën lojën e yllit që po venitet.
Kështu janë gjërat
në mbretërinë tjetër të vdekjes,
zgjohesh si murg
atë çast
kur ndjeshëm dridhesh.
Buzët që do të puthnin,
luten mbi gurët e thyer…”
 
(Fragmente nga “Njerëz bosh”, 1925)

 

Nga Grigor JOVANI