UEFA do të aplikojë që me rikthimin e Kupave të Europës, rregullat e reja në futboll të miratuara nga Bordi Ndërkombëtar i Futbollit. Modifikimet ishin parashikuar për nisjen e sezonit e 2020-2021 megjithatë ato do të aplikohen duke nisur nga faza finale e Champions dhe Europa League.

Ndryshimi më i rëndësishëm ka të bëjë me pjesën e goditjeve të 11-metërshave, probabiliteti i të cilave është i lartë prej çerekfinaleve duke qenë se të gjitha ndeshjet deri në finale do të jenë teke. Në përfundim të kohës shtesë kartonët e verdhë do të zerohen, pra do të riniset nga zero ndërkohë që këtu përjashtohen kartonët e kuq.

Ndryshimi tjetër i pjesshëm lidhet me prekjet e topit me dorë në rastet kur shënohet gol. Rregullat e reja shpjegojnë se për të anuluar një gol apo një asist për prekje të topit me dorë duhet vlerësuar impakti që ka prekja. Nëse ndryshimi i trajektores nuk do të jetë vendimtar nga prekja atëherë goli do të konsiderohet i rregullt. Për ta krahasuar, gola si i Zlatan Ibrahimovic në muajin shkurt përballë Fiorentinës, do të konsiderohen të rregullt.