“Titulli kampion (Scudetto) i vitit 1990 në Serie A? Ata bënë gjithçka që ishte e mundur për t’ia dhënë Napolit. Rregullat e reja lejuan fituesit e vitit të kaluar dhe fituesit e kampionatit të merrnin pjesë në Kupën e Kampionëve. Ne kishim fituar Kupën e Kampionëve dhe ata bënë gjithçka të dërgojnë dy skuadra italiane në garën më të lartë europiane”.

Këto janë akuzat e Marco Van Basten në një intervistë të gjatë për “AS”, në të cilën u kthye për të folur për kampionatin e vitit 1990, të humbur nga Milani i tij në favor të Napolit. “Skandalet e gjyqtarëve ishin të pabesueshme kundër Milanit, Interit dhe Veronës (në atë kohë favorite), – vazhdon ish-sulmuesi holandez, – ndërsa kishte favorizime të vazhdueshme për Napolin. Ndeshja që iu dha atyre në Bergamo, kundër Atalantës, për episodin e Alemao, ishte diçka e jashtëzakonshme. Napoli e fitoi atë titull përmes zyrave”.

“Maradona? I mrekullueshëm si futbollist”

Më tej, Van Basten vazhdon: “Sacchi? Ai ishte i fiksuar pas taktikave, edhe në gjumë bërtiste për skemat në mbrojtje. Arrigo mendonte për futbollin 24 orë në ditë”. Në intervistën e gjatë, të përqendruar në librin e tij, hollandezi foli gjithashtu për Cruyff (“ai ishte babai im sportiv, personi që më ndikoi më shumë”), Rijkaard (“pa të Milani i Sacchi nuk do të kishte ekzistuar kurrë”) dhe trajnerin aktual të Barcelonës, Koeman (“ai e mori këtë detyrë në një situatë të vështirë, por po bën mirë”).

Ende duke folur për Napolin, Van Basten gjithashtu kujtoi Maradonën: “Ai ishte i mrekullueshëm si futbollist. Si person e njoha më mirë kur ishim pensionuar të dy dhe unë punoja për FIFA-n. Ai ishte njeri i shkëlqyer, shumë i shqetësuar për mirëqenien e lojtarëve. Krahasimi me Messi? Leo është më i qëndrueshëm, por ai ishte më lider”.

“Haaland? Numra të jashtëzakonshëm për moshën e tij”

“VAR? Unë isha në FIFA, kur filluam ta studionim këtë mjet teknologjik. Ideja ishte të korrigjonim gabimet e dukshme, por arritëm rezultatin e kundërt. Tani po diskutojmë gjëra të parëndësishme”, – janë fjalët e ish-sulmuesit kuqezi. Pastaj, një krahasim me Haaland: “Numrat e tij janë mbresëlënës për moshën që ka. Haaland nuk është vetëm forcë, ka shumë aftësi të tjera. Ibrahimovic tashmë ka treguar se trupi nuk është i papajtueshëm me teknikën”.