Prej kësaj jave, puna nga shtëpia do të jetë një modeli integruar dhe në rregulloren e administratës në vend. Me vendim të Këshillit të Ministrave në rregulloren për kohëzgjatjen e punës, është shtuar dhe një dispozitë e re, ajo për veprimtarinë e institucioneve në rastet e veçanta.

Kjo dispozitë kërkon të rregullojë marrëdhënien mes punëmarrësit dhe punëdhënësit në kushte të veçantë, siç mund të jenë fatkeqësitë apo epidemitë.

Gjatë periudhës së gjendjes së epidemive, të përcaktuara si të tilla sipas legjislacionit në fuqi, institucionet janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës, me qëllim respektimin e rregullave të distancimit social ndërmjet të punësuarve.

Në këtë dispozitë përcaktohet se në rastin kur punonjësi është prind, atëherë orari i punës për ta përcaktohet në varësi të orarit që fëmija do të frekuentojë mësimin.

Ndryshim tjetër i bërë nga Këshilli i Ministrave është dhe kufizimi i orëve shtesë, në jo më shumë se 8 orë në javë.

Këshilli i ministrave ka bërë ndryshime në rregullore edhe për pushimet e prapambetura, teksa në rastet kur punëdhënësi nuk miraton kryerjen e pushimeve, atëherë punonjësit i lind e drejta t’i marrë ato brenda 3 viteve në vijim.

Pushimi vjetor i paguar duhet të jepet gjatë vitit kalendarik ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit kalendarik pasardhës. Në rastet kur punëdhënësi nuk miraton kryerjen e pushimeve vjetore apo i punësuari nuk i merr pushimet vjetore, të plota apo të pjesshme, ai ka të drejtë t’i kryejë ato brenda tre vjetëve nga dita në të cilën i lind kjo e drejtë.

Në vendimin e mëparshëm, punonjësi kishte një afat vetëm prej 3 muajsh përtej vitit kalendarik për t’i shlyer pushimet vjetore.