VINCENT WILLEM van GOGH
(30 mars 1853 – 29 korrik 1890)

Piktori i papërsëritshëm hollandez është një nga më të mëdhenjtë e të gjitha epokave.
Thuhet se u vetëvra, por pas disa hulumtimeve të reja shkencore, vdekja e tij duket se erdhi nga një aksident fatkeq, një lojë e fatit. U plagos vdekshëm nga dy fëmijë, që luanin me një armë, në distancë shumë të afërt nga piktori. Van Gogu i mbrojti ata fëmijë me…, heshtjen e tij. Gjithçka tjetër është një mit i sajuar…, nga më tërheqësit në historinë e artit.

Ekziston, megjithatë, edhe jeta e jashtëzakonshme e këtij “dashnori” të paepur të artit. Një jetë dedikur krejtësisht pikturës. Përveçse magjistar i ngjyrave dhe krijues hyjnor pejsazhesh, ishte edhe mendimtar dhe filozof i teorisë së artit. Le ta quanin “të çmendur”…
“Çmenduria” e tij është gjëja më e bukur që ka krijuar bota e telajos, ngjyrave dhe penelave. Pa të, bota do të ishte shumë e varfër.
_____

Mendime të Van Gogut:
____________________

1. “Arti është besnik dhe të imponon detyrën të injorosh mendimin publik.”
2. “Vura zemrën dhe shpirtin tim tek puna ime dhe në vazhdim humba mendjen time.”
3. “Mendoj se nata ka ngjyra më të pasura dhe më të ndezura se dita.”
4. “Poezia na rrethon nga gjithkund, por ta shkruash, natyrisht, nuk është kaq e lehtë…”
5. “Ç’është ngjyra për një pikturë? – Është entusiazmi për jetën.”

_____

Grigor JOVANI
Athinë, 30 mars 2023.