Dy ditë më parë moderatori Blendi Fevziu, i përdorur edhe më parë për manipulimin e opinionit publik mbi 21 janarin, i dha me pyetjet e tij disa mundësi për alibi Ndrea Prendit në një intervistë të papritur televizive.

Njëra prej tyre ishte veçanërisht flagrante. Moderatori i TV Klan e pyet ish-kreun e Gardës për “ndërrimin e tytës së pistoletës së tij të shërbimit pas ngjarjeve të 21 janarit”.

Ish-zyrtari i lartë në përgjigje të “pyetjes” tha se për këtë gjë ishte akuzuar shoferi i tij, të cilit, madje “i ishte bërë presion nga prokuroria”.

Tha Prendi në emisionin “Opinion”:

“Për këtë është akuzuar shoferi im të cilit i është bërë presion nga Prokuroria që të deklarojë atë që nuk është e vërtetë, teksa ka deklaruar se kishte patur akses të plotë në armatimin e Gjeneralit. Në momentin që Prokuroria ka marrë armatimin tim, ata e kanë marrë nëpër thasë dhe është mbajt mbi 5 muaj. Nga studimi balistik ka dalë që arma ime është në rregull. Prokuroria është tërhequr nga kjo akuzë dhe shoferi është i lirë” – pohoi Prendi.

Por sot, gazetari investigativ Habjon Hasani që drejton faqen online Hashtag.al ka publikuar një raport shokues.

Bëhet fjalë për një raport konfindencial të prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, lidhur me hetimet e kryera ndaj armëve në përdorim nga Garda e Republikës që kanë bërë qitje ngjarjen e 21 janarit.

Raporti konfidencial i është dërguar ambasadës amerikanë në Tiranë dhe në këtë raport thuhet se ekspertët e laboratorit balisitik kishin zbuluar se vrasja e protestuesit Faik Myrtaj është bërë nga Ndrea Prendi dhe pistoletës i është ndërruar më pas tyta dhe gjilpëra për të fshehur gjurmët e krimit.

Raporti tronditës thotë gjithashtu se ekspertët që kryen hetimin, kishin frikë të firmosnin dhe certifikonin manipulimin e tytës së pistoletës së shërbimit të Ndrea Prendit.

Për këtë arsye ata i kanë kërkuar Ambasadës ndihmë që ekspertimi të bëhej nga ekspertë të huaj dhe të vinte i firmosur prej tyre. Ambasada amerikane ka pranuar dhe ia ka kaluar FBI-së.

Pjesë nga raporti botuar sot nga gazetari investigativ Habjon Hasani

Detaje nga raporti:

Nga moria e gëzhojave të gjuajtur, thekson raporti, 11 prej tyre rezulton se janë qitur nga pistoleta ‘Beretta model 92-FS me numer P52796Z’, në përdorim nga Komandanti i Gardës Ndrea Prendi.

Hetimi ka zbuluar se 11 gëzhojat janë nga plumba të tipit MKE 9mm MP-5, prodhuar nga kompania turke ‘Makina ve Kimya Endustrisi Kurumu’.

Këta plumba që njihen edhe si “plumba të artë” për shkak të cilësisë dhe çmimit të lartë kanë qenë municion ekskluziv që e ka pasur në disponim vetëm ish-Komandanti i Gardës, Prendi. Një prej këtyre plumbave ka vrarë Faik Myrtën.

Prokurori pohon në raportin kobfidencial se për të fshehur autorësinë e vrasjes, tyta e pistoletës së Prendit është ndërruar me atë të pistoletës së shoferit të tij, por veçantia e plumbave e ka “tradhtuar” manipulimin.

Në të vërtetë nga pistoleta e shoferit është shtirë një predhë e vetme, e cila është gjetur e futur në një pemë në krahun e majtë të Kryesisë së Kuvendit.

Ekspertët teknikobalistikë, thuhet në raportin konfidencial të prokurorisë për Ambasadën kanë provuar gjithashtu se gjilpëra e pistoletës me numër ‘P52796Z’ të Ndrea Prendit, në momentin kur është bërë ekzaminimi balistik ka qenë e përpunuar mekanikisht (goditur).

Pasi kanë provuar autorësinë e vrasjes dhe manipulimin e armës, hetuesit nuk kanë guxuar të firmosin nga klima e krijuar pas 21 janarit.

Ata kanë gjetur si mënyrë t’i drejtohen Ambasadës Amerikane, duke kërkuar që ekspertimi të bëhej nga FBI-ja amerikane për të shmangur ‘hakmarrjen’ që mund t’u vinte pas ekspertizës së tyre.

—–

Raportimi i plotë mund të lexohet duke klikuar KËTU