Cristiano Ronaldo është personi më i ndjekur në Instagram dhe shifrat e reja kanë treguar se sa mund të fitojë ylli i Manchester United me një postim të vetëm.

Portugezi u bë personi i parë që arriti 400 milionë ndjekës, menjëherë pas ditëlindjes së tij të 37-të të shtunën. Ai tani ka afro 100 milionë ndjekës më shumë se rivalja e tij më e afërt, Kylie Jenner, e cila ka rreth 309 milionë.

Ndjekësit e Ronaldos janë rritur me 163 milionë në vetëm pesë muajt e fundit dhe tani është zbuluar potenciali i tij i madh për fitim përmes Instagramit.

Sipas ekspertëve të basteve “OLGB”, Ronaldo mund të fitojë 1.72 milionë paund për postim të sponsorizuar.

Kjo është më shumë se trefishi i pagës së raportuar të tij javore prej rreth 480,000 paundësh në “Old Trafford”.

“Forbes” vlerëson se Ronaldo fitoi 120 milionë dollarë (88.6 milionë paund) në 2021-shin, duke e vendosur atë të tretin në listë, pas Conor McGregor dhe rivalit të tij të madh Lionel Messi.

Ronaldo raportohet të ketë fituar rreth 70 milionë dollarë (51.7 milionë paund) nga pagat dhe fitimet e tij në Juventus dhe Manchester United, me 50 milionë dollarë të tjera (40 milionë paund) që vijnë nga marrëveshjet e sponsorizimeve dhe burime të tjera të ardhurash jashtë fushës.

Ndërsa sipas “The Athletic”, Ronaldo përballet me një reduktim të mundshëm të pagës prej 25% sezonin e ardhshëm nëse Manchester United humbet pjesëmarrjen në Champions League.

“Djajtë e Kuq” janë aktualisht në vendin e katërt në tabelë, por West Ham, Arsenal, Tottenham dhe Wolves janë të gjithë shumë afër me pikë nga skuadra e Ralf Rangnick.