Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur gjatë një prononcimi për mediat se nuk ka asnjë “pazar” mes opozitës dhe mazhorancës për Reformën në Drejtësi. Teksa u pyet për çështjen e Vettingut, Balla tha se zgjatja e mandatit të Komisionit të Kualifikimit është çështje teknike dhe nuk duhet politizuar.

Në PD ka një debat, kryesisht me aktorë kryetarin Lulzim Basha dhe Oerd Bylykbashin që diskutojnë se PS jep në shkëmbim të votave për Vettingun në Kushtetutë Reformën Territoriale. A ka një ofertë të tillë nga partia juaj?

Taulant Balla: Dua t’ju siguroj që ekspertët tanë janë duke punuar intensivisht, qoftë Bushka, apo kolegë të tjerë edhe me dy institucione ndërkombëtare që kanë këshilluar mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi për të konkluduar në amendamentin kushtetues për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Përkohshëm të Kualifikimit. Pra në kuptimin që të arrijmë që të kemi brenda një kohe të shkurtët këtë amendament gati dhe pastaj të jetë gati për të filluar ajo që është më e rëndësishme, procedura parlamentare. E dini mirë që amandamenti kushtetues kërkon një kohë minimalisht 45 ditë, deri në 60 ditë. Kjo kërkon shumë punë, por e konsideroj një çështje tepër teknike tek e cila politika duhet të rrijë larg në kuptimin për rëndësinë që ka Vettingu dhe faktin që Vettingu ka rezultate të mira. Do të propozoja që askush prej nesh të mos e politizojë, ta mbajë si një çështje tepër teknike, si një nevojë e domosdoshme e vijueshmërisë së procesit apo reformës historike të Reformës në Drejtësi. Dua t’ju garantoj që nuk ka asnjë lloj “pazari” sepse është një çështje që e konsideroj të një rëndësie të veçantë ku secili prej nesh deputetëve duhet të marrë përgjegjësinë që i takon.

Balla tha se mazhoranca është e gatshme për të diskutuar pa rezerva për çdo lloj çështje që mund të vijë në Kuvend nga ana e opozitës. Njësoj si një ditë më parë, Balla tha se do të miratohen komisionet hetimore për zgjedhjet e 25 prillit dhe inceneratorët, ndërsa ai për “Becchetti”-in nuk do të ketë dakordësinë e mazhorancës.