Kryeministri Edi Rama ka uruar fituesin e zgjedhjeve të Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe të gjithë forcat e tjera politike pas votimeve të 14 Shkurtit.

Në një postim në Twitter, Rama uron që vullneti i popullit kosovar të mishërohet në një kapitull të ri për vendin, qeveri të qëndrueshëm, dialog konstruktiv ndërpartiak si dhe zhvillim ekonomik e social.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik dhe social”, shkruan Rama.

Meta: Shembull i shkëlqyer i besimit tek demokracia dhe vota e lirë

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe klasën politike atje dhe thotë se kanë dhënë një shembull të shkëlqyer të besimit të demokracisë e votës së lirë. Meta përshëndeti pjesëmarrjen e lartë në votime dhe shton se Kosova ka hapur një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik.

“Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare. E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, shkruan Meta në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit bindshëm, teksa edhe pse nuk ka përfunduar numërimi i plotë i votave ka marrë deri më tani 48.17% të tyre.