Me anë të një postimi në Twitter, sa i përket zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike apo protestën kundër Vuçiç, Rama shkruan se nuk do të merret me “kufomat gratanongrata as me dordolecët e papagallët grata e vinçi”, siç i quan ai.

“S’kam ndërmend të merrem as me kufomat gratanongrata as me dordolecët e papagallët grata e vinci (gërvisht e fito) që kanë hyrë në një vorbull marrëzie qesharake bravash, dyersh, kanalesh e portalesh, kinse po duan kush e kush të luftojë më fort regjimin, korrupsionin, Vuqiqin!”, shkruan Rama.

Më tej, kryeministri shkruan se drejtësia e re po jep sinjale të qarta pa dallim ngjyrash.

“Jam i inkurajuar që drejtësia e re po jep sinjale të qarta pa dallim ngjyrash, ekonomia po vijon ringjitjen pas pandemisë, sporteleve po u vjen fundi bashkë me vitin në ikje dhe më e mira është e gjitha përpara, duan s’duan humbësit fitimtarë të kuvendeve demokratike e mediatike!

Nesër vendosim në qeveri Konsultimin e madh Kombëtar me shqiptarët për vendime të rëndësishme të vitit që po vjen dhe le ta dëgjojmë sa më shumë njëri-tjetrin, jashtë llogoreve të ngushta partiake e llogjeve të mëdha provinciale! Ata s’kanë ç’humbin më, ne s’kemi kohë për të humbur!”, mbyllet postimi i Ramës.