Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka bërë një përmbledhje të Reformës në Drejtësi në pesë vite.

Në një postim në Facebook, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë shkruan se progresi i kësaj reforme matet me faktin se sa larg ka arritur Shqipëria në këtë ‘udhëtim’ dhe jo vetëm nga distanca deri në destinacion.

Krah fotove të shkrepura nga mbledhja e zhvilluara nga përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së shkruhet se ata kanë dhënë kontributin e tyre në këtë reformë.

Postimi i plotë:

Me mbylljen e vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë hedh një vështrim mbi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë pesë viteve të para të Reformës në Drejtësi. Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi. Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit. Përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA u mblodhën së fundmi me disa nga individët e shumtë që punojnë pa u lodhur, çdo ditë, për të zbatuar këto koncepte dhe për ta bërë reformën në drejtësi një sukses. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu.

Reforma në drejtësi u miratua me 140 votat në Kuvendin e Shqipërisë në 22 Korrik të vitit 2016.

Ajo u parapri nga debate të forta, dhe u asistua nga ekspertë të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias.

Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA.