Shumë prona që kanë kaluar nga pushteti qendror në administrim të pushtetit vendor, mbeten ende të paregjistruara në Kadastër, duke shkaktuar dhe dëm financiar. Kjo problematikë është konstatuar dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku vihet re se procesi ka defekte që nga pushteti qendror e deri te hallka e bashkive, ndërsa ekspertët shprehen se ky proces i nisur prej vitesh u frenua nga reforma territoriale.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një audit të gjerë mbi buxhetin dhe shpërndarjen e tij në disa bashki të vendit  por nga bashkitë e audituara vetëm në tre bashki është konstatuar se pronat dhe objektet nuk janë regjistruar në kadastër duke përfshirë tre vite, 2017, 2018 dhe 2019. Problematika është konstatuar në këto tre bashki, pasi objekt auditimi ishin pasqyrat financiare duke u konstatuar ato që kanë shkaktuar dëm në buxhet. Ndaj Porta Vendore hulumtoi më shumë duke vënë fokusin në këto bashki, objekt të KLSH-së.

Auditimet janë ushtruar gjatë vitit 2020 dhe janë marrë nën shqyrtim pasqyrat financiare të bashkive. Pothuajse në të gjitha bashkitë që janë ushtruar këto kontrolle janë konstatuar shkelje, mungesë transparence dhe dëm në buxhetin e bashkisë. Porta Vendore ka analizuar vetëm një sektor të këtij raporti, konkretisht, pronat e bashkive, të cilat nuk janë regjistruar në kadastër dhe rezulton se shkak për këtë është bërë mungesa e bazës ligjore, por edhe neglizhenca e bashkive.

Auditimi, KLSH: Bashkia Skrapar nuk regjistron pronat në Kadastër (maj 2020)

Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit audituan pasqyrat financiare të Bashkisë Skrapar për 3 vite 2017, 2018 dhe 2019, ku përfshihet pasqyra e pozicionit financiar, performancës financiare, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e flukseve monetare. Pas shqyrtimit të të dhënave u konstatuan shkelje dhe mospërputhje të të dhënave financiare.

KLSH konstaton se disa pasuri të njësisë vendore, si toka, troje,terrene, pyje, kullota, plantacione, nuk janë inventarizuar dhe nuk janë regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, e si pasojë nuk pasqyrohen në pasqyrat financiare të njësisë vendore për vitin 2019, duke bërë që këto pasqyra të mos paraqesin vlerës e saktë të këtyre asete të njësisë vendore. Në ëtë bashki vërehet se subjektet private kanë shfrytëzuar pronat e bashkisë dhe në mungesë të lidhjes së një kontrate qiraje me bashkinë nuk kanë paguar asnjë detyrim bashkisë. Dëmi ekonomik  përllogaritur vetëm nga pronat e konstatuar se janë shfrytëzuar nga subjekte private është në vlerën 889,715,200 lekë, për 17 subjekte. Kështu, raporti citon se: “Bashkia Skrapar, nga mungesa e nënëshkrimit të kontratave të qirasë të fondit pyjor, transferuar me VKM nr.433, datë 8.6.2016 “Për transferimin në pronësi të Bashkive të Pyjeve dhe të Kullotave Publike, sipas listave të inventarit dhe aktualisht në administrim të Ministrisë së Mjedisit e të ish Komunave/Bashkive” u konstatua se kanë ushtruar aktivitet, në territorin e bashkisë Skrapar, 17 subjekte private, për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore për nxjerrje guri pllakë, gurë gëlqerorë, gëlqeror mermer dhe gëlqerorë masiv, referuar lejeve minerare të miratuara nga MEI, nuk është vepruar, për të lidhur kontratë qiraje me subjektet private për sipërfaqen totale prej 958,43 ha, detyrimi përllogaritet në vlerën 889,715,200 lekë, për 17 subjekte.”

Në raportin e KLSH nënvizohet se ka disa subjekte që ushtrojnë aktivitet privat në pronat e bashkisë me të cilat kjo e fundit nuk ka lidhur kontratë qiraje sicc e parashikon ligji. “Në territorin e Bashkisë Skrapar ushtrojnë aktivitet privat disa subjekte të pajisura me leje minerare nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe subjekte të cilat nuk kanë lidhur kontratë qiraje për sipërfaqet pyjore dhe kullosore, por që i shfrytëzojnë këto pasuri për qëllime biznesi. Bazuar në informacionin e marrë nga Ndërmarrja e Shërbimit Pyjor Bashkia Skrapar, për statusin e aktivitetit në terren të subjekteve private që operojnë në territorin e bashkisë Skrapar, konstatohet se, për periudhën e viteve 2017-2019, janë gjithsej 20 subjekte që ushtrojnë aktivitet në fushën e nxjerrjes dhe të përpunimit të gurit gëlqeror dhe të mermerizuar në pronat e bashkisë, nga të cilat janë me status aktiv që punojnë në terren 18 subjekte, kurse dy subjekte janë më status pasiv. Nga 18 subjekte me status aktiv në terren, një subjekt dhe kryesisht subjekti F. shpk ushtron aktivitetin në pronë private, kurse 9 subjekte ushtrojnë aktivitetin rregullisht për gjithë periudhën objekt auditimi, për vitet 2017-2019, kurse 8 subjekte kanë ushtruar aktivitet për dy vite 2017 dhe 2018, pasi për vitin 2019 janë pezulluar me VKM nr. 467, datë 26.7.2018 Për zgjerimin e sipërfaqes së parkut kombëtar Mali i Tomorit”, thuhet në raport.

KLSH konstaton se bashkia Skrapar, nuk ka vepruar, për të lidhur kontratë qiraje me subjektet private të cilat janë pajisur me leje minerare të miratuara nga MEI, për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore dhe kullosore me sipërfaqe totale prej 864 ha, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre për qëllime biznesi, për nxjerrje, prodhim dhe depozitim materialesh inerte, direkt nga sipërfaqja (karrierë) me afat 6-10 vjet ku tarifa vjetore është 440,000 lekë/ha/vit në territor tokë Inproduktive duke krijuar të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë Skrapar, në vlerën 806,616,800 lekë.

Problematika vërehet edhe në zonën “Rasa e Novajve” Mali i Tomorit, Bashkia Skrapar, ku kanë ushtruar aktivitet, 10 subjekte private, për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore për nxjerrje guri pllakë, gurë gëlqerorë, gëlqeror mermer dhe gëlqerorë masiv, sipas lejeve minerare të

miratuara nga MEI,  të cilat rezultojnë me të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë Skrapar, në vlerën 83,098,400 lekë.

KLSH: Bashkia Maliq, 404 objekte pa titull pronësie

Nga auditimi i KLSH ka rezultuar se nga 444 objekte inventari të pasurive të paluajtshme në vlerën rreth 1.1 milionë lekë të pasqyruara në kontabilitet, 19 objekte janë pajisur me titull pronësie, ndërsa 21 objekte janë në proces regjistrimi dhe për 404 objekte inventari, nuk posedon titull pronësie, në kundërshtim me ligjin. Vlera e aktiveve e paraqitur në Pasqyrën e Pozicionit Financiar, nuk paraqet “vlerën reale” të tyre, pasi nga ana e Bashkisë Maliq nuk është ndërmarrë asnjë procedurë rivlerësimi. Vlerat fillestare, apo kostot historike të këtyre aktiveve rezultojnë sipas çmimeve të blerje,s si dhe kostove të tjera të drejtëpërdrejta, në periudhat përkatëse të krijimit. Nga 4113 prona në total, një pjesë e konsiderueshme e tyre prej 3692 pronash nuk janë regjistruar në aktivet afagjata materiale në kontabilitet dhe pasqyrat financiare, pasi sipas inventarëve të trashëguar nga Njësitë të Shkrira janë paraqitur vetëm në sasi, pa vlerën në lekë. Mosveprimet në lidhje me konstatimet mbi vlerësimin dhe rivlerësimin e aktiveve janë në kundërshtim me Udhëzimin nr. 8, datë 09.03.2018, Kapitulli IV “Përgatitja dhe rregullat e plotësimit të pasqyrave financiare vjetore të konsoliduara”.

KLSH: Bashkia Roskovec nuk regjistron 47 objekte në kadastër

Në auditimin e ushtruar në Bashkinë Roskovec u konstatua se për vitet 2017, 2018 dhe 2019, është kryer inventari fizik i disa aktiveve, por procedurat për miratimin e inventarëve është bërë një vit më vonë. Në këto kushte, llogaritë financiare të aktiveve, nuk paraqesin me vërtetësi gjendjen fizike të vitit. KLSH konstaton se procedurat e inventarizimit dhe sistemimit të llogarive kontabël nuk janë kryer në kohë dhe kjo është shkelje e parimit të përkatësisë, plotësisë dhe kërkesave. Audituesit konstatuan se procedurat e transferimit të Aktiveve nuk janë të plota, pasi në vendimet e Këshillit të Bashkisë nuk është përcaktuar vlera në lekë për çdo rast të transferimit të aseteve, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen Vendore” neni 54.

Nga Bashkia Roskovec dhe Njësitë vartëse, nuk janë mbajtur akte rakordimi mbi dorëzimin e objekteve që transferohen, të shoqëruara me kopje të projekteve përkatëse të dorëzuara si; planimetritë, gen-planet projektet etj, veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin. Nga Bashkia Roskovec, nuk janë marrë masat e nevojshme për mirëadministrimin e të gjitha Aktiveve afatgjatë materiale dhe jo materiale. Nuk është kryer inventarizimi fizik në vitete 2017, 2018 dhe 2019 si për aktivet të cilat sipas miratimeve me VKM kanë kaluar në pronësi të Bashkisë Roskovec, ashtu edhe për ato të investuara nga Bashkia.

Nga auditimi u konstatua se nga 78 objekte në total, 47 objekte nuk janë regjistruar në pronësi të Bashkisë Roskovec.

Porta Vendore iu drejtua me kërkesë zyrtare të tre bashkive që janë pjesë e raportit të KLSH, Bashkisë Maliq, Bashkisë Roskovec dhe Bashkisë Skrapar. Vetëm Bashkia Roskovec iu përgjigj interesit tonë për këtë çështje. Në përgjigjen zyrtare Bashkia Roskovec sqaron se arsyet që e kanë penguar këtë proces janë: “Problemet me azhornimin fillestar ose ‘përmirësim-përditësim’ të hartave digjitale dhe të databazës së pasurive të paluajtshme. Mangësi të evidentuara nga zyra e regjistrimit në inventarët e pronave publike (nevojë për përditësim të inventarëve të pronave publike si shkak i ndryshimeve ligjore të procedurës së regjistrimit). Mospërputhje e hartave kadastrale 1:5000 me hartat aktule të ASHK”.

Këto janë disa nga problematikat e nënvizuara ndërkohë që pas raportit të KLSH, Bashkia thotë se ka ndërmarrë këto hapa: “Bashkia Roskovec ka kryer procedurat e përditësimit të të dhënave të inventarëve të pronave publike të Bashkisë Roskovec dhe janë miratuar në Këshillin Bashkiak për katër njësitë vendore Roskovec, Strum, Kuman dhe Kurjan me numër vendimi 48, 49, 50, 51 të datës 29.06.2020. Sipas procedurës ligjore aktuale këto inventarë të pronave publike janë përcjellë në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës së Tiranës për vazhdimin e miratimit në Këshillin e Ministrave.” Pra duket që pushteti vendor në këtë rast e ka kryer detyrën e vet dhe është në pritje të vendimit final të Këshillit të Ministrave.

Ligji nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” (në vijim LPPSH) përcakton regjimin juridik të llojeve të pronave të paluajtshme të shtetit dhe përgjegjësitë për administrimin e tyre. Me prona të paluajtshme të shtetit do të kuptohen të gjitha pronat e paluajtshme të pushtetit qendror dhe të njësive të qeverisjes vendore. Sipas nenit 6 të këtij ligji, të gjitha pronat e paluajtshme të shtetit duhet të regjistrohen në Regjistrin e Pronave të Paluajtshme duke ndjekur procedurat që parashikon ligji i posaçëm për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

Por për të kuptuar më mirë ligjin dhe procedurën e regjistrimit të pronave, Porta Vendore bashëbisedoi me juristin Dhimitër Zguro. Ai sqaron se “Jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave duhet të miratonte aktet ligjore për procedurat, nëpërmjet të cilave do të inventarizoheshin të drejtat e pronësisë. Inventarizimi nënkupton procesin në të cilin do të regjistroheshin paraprakisht të gjitha pronat e paluajtshme të shtetit gjatë procesit të identifikimit dhe transferimit. Ligji gjithashtu detyronte organet shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore që brenda afateve të përcaktuara përmes akteve nënligjore, të hartonin një listë të pronave të paluajtshme, mbi të cilat organi kishte përgjegjësi administrative. Ishte Këshilli i Ministrave që përcaktonte se cili do të ishte organi përgjegjës për administrimin e çdo njësie të pronës së paluajtshme. Ndërsa për transferimin e pronave në favor të njësive të qeverisjes vendore, ligji përcaktonte se ky proces do të rregullohej nga një ligj tjetër i posaçëm.

Ligji nr. 8744, datë 22.2.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore” (në vijim LPTPPSH) ishte pikërisht ligji që do të rregullonte procesin e transferimit të pronave të paluajtshme të shtetit nga pushteti qendror në NJQV. Jursti thotë se ligji në fjalë përcaktoi afatet dhe procedurat e transferimit. “Ky ligj e lidh transferimin e pronave me një kërkesë që NQV-të duhet të paraqisnin në Këshillin e Ministrave, në të cilën ato duhet të saktësonin listën e pronave që ato kërkonin t’u transferoheshin. Pasi Këshilli i Ministrave vendoste përfundimisht mbi listën e pronave që do të transferoheshin, NJQV-të duhet të regjistronin në ZRPP të gjitha pronat, të cilat u kishin kaluar në pronësi”, thotë ai.

Por reforma territoriale ndërlikoi më shumë çështjen duke zeruar gjithçka që ishte bërë deri në atë kohë. “Pas miratimit të ‘Reformës Territoriale’ , në zbatim të saj dolën aktet nënligjore, një prej të cilëve është edhe vendimi nr. 510, datë 10.6.2015 ‘Për miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, të arkivave dhe çdo dokumentacioni tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial’. Kreu VI i këtij Vendimi përcakton se bashkitë do të jenë subjektet juridike që trashëgojnë të drejtat pronësore të Njësive Që Shkrihen (ish-NJQV). Këto të fundit duhet të plotësonin dhe të depozitonin pranë bashkisë inventarin e të gjitha pronave të paluajtshme në pronësi, ndërsa ZRPP-të duhet që të bënin pasqyrimet përkatëse në lidhje me pronësinë”, sqaron Zguro, duke shtuar se për shkak të ndryshimeve territoriale të bashkive, ky proces u bë edhe një herë nga e para.

Ndërkohë që ligji i fundit që trajton problematikën në fjalë është Ligji nr. 20/2020. “Neni 37 përcakton se institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë për detyrë të kryejnë përditësimin e plotë të pronave të inventarizuara apo të transferuara në favor të tyre brenda 18 muajve nga data e hyrjes në fuqi e ligjit. Pra, i gjithë ky proces pritet të përfundojë nëntor të 2021”, thekson juristi.

Pasi të bëhet miratimi i listës përfundimtare të pronave shtetërore, pronat mund të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme në përputhje me ligjin nr. 111/2018 “Për Kadastrën” dhe aktet e tjera nënligjore.

Por ajo që vëren juristi Zguro është fakti se shumë prona janë miratuar, por nuk janë regjistruar.

“Në këndvështrimin personal, problemi më shumë sesa juridik, është politik. Pra, NJQV-të kanë mungesë vullneti për të regjistruar pronat që kanë kaluar në favor të tyre (në rastet kur është miratuar lista përfundimtare e pronave shtetërore). Kur kjo listë nuk është miratuar, dhe ka shumë NJQV për të cilat lista nuk është miratuar, por me Vendim të Këshillit të Ministrave miratohen vetëm prona të posaçme (të caktuara), problemi juridik që pengon regjistrimin e pronave është mos-miratimi nga ana e Këshillit të Ministrave të listës përfundimtare të pronave shtetërore. Edhe në këtë rast, arsyet mund të jenë të çfarëdoshme, por kurrsesi juridike”, përfundon juristi Dhimitër Zguro.

Çupi: Procesi i regjistrimit ndaloi, asnjë VKM nga qeveria/ Reforma territoriale kërkoi rinisjen e procesit

Porta Vendore ka biseduar me eksperten e pushtetit vendor Dhurata Çupi, e cila para përfshirjes në politikë ka mbajtur postin e Juristes në Bashkinë e Tiranës, ka ushtruar funksionin e kryetares së Agjencisë së Inventarizimit dhe Trajtimit të Pronave Publike pranë Ministrisë së Brendshme, si dhe ka qenë përgjegjëse e sektorit të ligjshmërisë në Agjencinë e Inventarizimit dhe transferimit të pronave publike. Çupi thotë se procesi i regjistrimit ishte planifikuar të kalonte në tre faza. “Ka një ligj për transferimin e pronave publike njësive të qeverisjes vendore dhe një ligj për 8743 – 8744 për inventarizimin e të gjitha pronave dhe regjistrimin e pronave shtetërore. Institucionet qendrore kryesisht e kanë mbaruar procesin e inventarizimit dhe të regjistrimit të tyre deri në vitin 2013 dhe ka prona të veçanta që nuk janë regjistruar, ndërkohë që njësitë e qeverisjes vendore që me miratimin e ligjit në vitin 2002 dhe ngritjen e agjencisë së inventarizimit dhe transferimit të pronave publike kanë filluar punën”, shprehet Çupi.

Sipas saj, deri në vitin 2013 kishte përfunduar faza e parë e inventarizimit në të gjitha bashkitë, rreth 70% e njësive të qeverisjes vendore kanë përfunduar fazën e dytë të regjistrimit paraprak, dhe faza e tretë, ajo që quhet miratimi i listës përfundimtare për kalimin në pronësi të njësive të qeverisjes vendore të pronave të tyre, është bërë në shumë pak bashki, për shkak se pas vitit 2013 është pezulluar çdo vendim qeverie për miratimin e listave përfundimtare.

“Fillimisht ishte faza e inventarizimit të çdo prone të njësive vendore. Bashkitë i kanë inventarizuar që të gjitha. Pastaj faza e dytë ishte kalimi paraprak i këtyre pronave në pronësi të tyre dhe faza e tretë kalimi përfundimtar me vendim qeverie të gjitha në pronësi të bashkive. Ka pasur disa bashki që kanë aplikuar për t’i regjistruar, megjithëse janë shumë  pak. Ato i kanë regjistruar dhe iu ka dalë vendimi i qeverisë për miratimin e tyre. Ndërkohë pjesa më e madhe e bashkive nuk kanë miratimin e qeverisë dhe bllokohet procesi. Ligji është taksativ, madje ka pasur edhe afate ligjore. Vendimet e qeverisë lidhur me këto prona kanë konsistuar kryesisht në prona të veçanta si në bashkinë e Tiranës dhe në bashkitë kryesore, kryesisht me prona që kanë pasur akses kapitalizimin e tyre koncensionimin, tenderimin, por jo në tërësi. Ligji përcakton qartë që bashkitë duhet t’i kenë në pronësi sepse nuk mund t’i menaxhojnë pa i pasur në pronësi. Fakti që ligji për qeverisjen vendore përcakton dhe u jep autoritet vendimmarrës këshillave bashkiakë për t’i administruar pronat është edhe një element tjetër për të treguar që bashkitë nuk mund t’i menaxhojnë pa i patur në pronësi. Pas vitit 2013 ka ndryshuar agjenda dhe nuk ka pasur prioritet kjo çështje. Rezulton se ka mbi 100 vendime qeverie për prona të veçanta, pra nuk ka pasur si qëllim t’i transferojë të gjitha pronat bashkive, pasi në rast se qeveria do kërkonte të menaxhonte një pronë do e kishte të vështirë t’ua merrte bashkive”, sqaron Çupi.

Por si është kjo situatë në Bashkinë e Tiranës? Si ish zyrtare e këtij institucioni vendor Dhurata Çupi thotë se Bashkia e Tiranës ka shumë prona të paregjistruara. “Bashkia e Tiranës ka rreth 20 mijë prona, nga të cilat ka të regjistruara shumë pak, bëhet fjalë vetëm për ato që ka dashur t’i menaxhojë apo të japë leje ndërtimi me ndryshimet e bëra kohët e fundit. Të tjerat nuk janë të regjistruara, i jep me qira.”, thotë ajo.

“Pavarësisht se është shkelur ligji duke mos u regjistruar pronat, përderisa nuk ka vendim qeverie i cili është i domosdoshëm për regjistrimin nuk mund të ketë gjobë apo penalizime”, kështu pohon Çupi, e cila shton më tej se vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit mund të auditojë dhe tërheqë vëmendjen institucioneve për shkeljet.

Megjithatë duket se kjo problematikë është thelluar më tej me reformën territoriale e cila shfuqizoi komunat dhe zgjeroi territorin e  bashkive. Çupi mendon se institucionet duhet të kishin insistuar që qeveria të miratonte listat përfndimtare të pronave të bashkive dhe të kalonin në hapin final për regjistrimin e tyre. “Pse agjencia e inventarizimit dhe transferimit të pronave publike, e cila është bashkuar me agjencinë e trajtimit të pronave nuk i është drejtuar qeverisë për t’ia kaluar të gjitha listat përfundimtare të pronave të bashkisë. Pas 2015, komunat u bashkuan me bashkitë pra duhet të dalin vendime të reja ku pronat e ish komunave të bashkohen me pronat e bashkive, pra janë minimalish 61 vendime”, përfundon Çupi.

Haxhimali: Inventari i plotë digjital i pronave për çdo bashki, i domosdoshëm

Agron Haxhimali, kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë pohon se regjistrimi i pronave publike të bashkive është dhe mbetet një problem shumë i madh. “Është i tillë pasi bashkitë nga këto prona sigurojnë të ardhura të konsiderueshme për buxhetet e tyre. Këto të ardhura i sigurojnë nga dhënia me qira, apo forma të tjera ligjore nga të cilat bashkia nëse i menaxhon mirë rrit të ardhurat. Por problemi është se bashkitë nuk i kanë këto prona të çertifikuara. Kjo do të thotë që bashkitë ndeshen me vështirësi për t’i vënë në punë këto pasuri”.

Ai argumenton se regjistri rrit aksionet e bashkisë, por nga ana tjetër mungesa e dokumentacionit e bën të pamundur shfrytëzimin e këtyre pronave. “Pronat që nuk janë të regjistruara dhe hipotekuara sipas ligjit është vështirë të shfrytëzohen, pasi palët e interesuar për të investuar kërkojnë prona të ligjshme dhe me dokumentacionin përkatës”, thotë Haxhimali.

Kreu i shoqatës së bashkive evidenton një problematikë thelbësore në tërë këtë proces që është inventarizimi i pronave vendore për secilën bashki, i cili duhet të jetë i aksesueshëm dhe digjital për çdo bashki.“Më problematike është edhe çështje e inventarizimit të pronave vendore. Mungesa e një inventari të plotë, të aksesueshëm dhe digjital për çdo bashki.”

I pyetur nga Porta Vendore se sa i shtrirë në bashkitë e vendit është kjo problematikë, Haxhimali thotë se bashkitë, në takimet që ka zhvilluar, e kanë pranuar se kanë prona të paregjistruara. “Nga kontaktet dhe nga diskutimet ne tryezat e konsultimit bashkitë, të gjithë e ngrenë problemin e mungesës se posedimit të pronave me certifikatë sikundër dhe probleme të tjera që lidhen me inventarin, transferimin e tyre, regjistrimin dhe çertifikimin. Ligji u jep bashkive një listë të gjatë me prona nga pyje, kullota, troje, objekte, si dhe agregate nga infrastruktura mbi dhe nëntokësore. Për të gjitha këto kategori pronash ka problematika nga të gjitha proceset, qoftë inventarizimi, transferimi, por edhe regjistrimi e çertifikimi si hapi fundor që e bën bashkinë pronare ligjore”, thotë ai.

Sipas tij, kjo situatë ka disa faktorë që e mbajnë këtë proces jo aty ku duhet. “Faktori parë është ai ligjor dhe institucional që ka të bëjë me qartësimet ligjore dhe procesi i transferimit nga qeveria te bashkia të pronave me dokumente dhe si emra e tituj. Faktor tjetër është mungesa e infrastrukturës dhe mjeteve financiare për të mbyllur këtë proces. Këtu mendoj se edhe qeveria duhet të ndërhyjë, si psh me shtimin e specialistëve dhe organizimin e një departamenti dedikuar pronave, me objektiv mbylljen një herë e mirë të këtij problemi. Por pa diskutim dhe bashkitë duhet të angazhohem më shumë me mjete dhe burime për të regjistruar pronat e tyre. Një faktor tjetër janë burokracitë ndërinstitucionale, mungesa e të dhënave për pronat, etj. Por ka dhe një shkak tjetër që lidhet me presionin e vogël për përdorimin e këtyre pronave, pra palët e treta mbase nuk kanë interes mbi përdorimin e këtyre pronave bashkiake dhe për rrjedhojë dhe interesi i bashkisë është i ulët për t’u kujdesur për to. E kundërta ndodh për toka e troje ndërtimi në zona ndërtimore, ku interesi është i madh nga privati dhe bashkia organizohet shpejt për të përgatitur dosjen me dokumente për regjistrim dhe certifikim”, thotë ai./Porta Vendore