Lulzim Basha përgënjeshtroi deklaratën e kryeministrit Edi Rama në kongresin e PS, i cili tha se i kishte dërguar mesazh kryedemokratit ku e paralajmëronte për shkatërrimin e PD-së.

Gjatë një komunikimi për mediat nga ambientet jashtë Kuvendit, Basha u shpreh se Rama po shpik gënjeshtra, teksa tregoi dhe dy rastet kur ka komunikuar me të.

“Këto janë gënjeshtra tipike të njerëzve që duan të heqin vëmendjen nga thelbi. Është një gënjeshtër. Kam pasur komunikime për dy ngushëllime. Një në vitin 2020 dhe një në vitin e kaluar. Këto janë gënjeshtra për të hequr vëmendjen”, tha Basha.

Në lidhje me situatën brenda Partisë Demokratike, Basha kërkoi që ish-kryeministri Sali Berish të bëjë një hap pas.

Sipas tij, PD-ja duhet të çlirohet, në mënyrë që të bëjë detyrën e saj para shqiptarëve.

Sakaq, Basha i ka kërkuar organeve të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj personave të shpallur non-grata nga SHBA.

Gjatë një deklarate për mediat të enjten, Basha akuzoi Berishën se ka “pushtuar selinë e PD-së”, së bashku me hapësirën e opozitës.

Sipas Bashës, Berisha, Rama dhe Meta po marrin një pjesë të madhe të hapësirës së mediave, duke penguar qytetarët që të dëgjohet edhe zëri i tyre.

“Media është e angazhuar me Metën, Ramën dhe Berishën. Nuk ka hapësirë për hallet e qytetarëve”, u shpreh Basha.

Basha thotë se në këtë kohë ku çmimet janë rritur, qytetarët dhe opozita kanë nevojë për hapësirë që të ngrenë zërin.