Presidenti amerikan Joe Biden thotë se forcat ruse synojnë të sulmojë kryeqytetin e Ukrainës, Kievin. Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se SHBA beson se forcat ruse kanë gjasa që të veprojnë në javët në vijim.

“Ne besojmë se ata do të sulmojnë kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, një qytet me 2.8 milionë njerëz të pafajshëm”, tha presidenti amerikan.

Biden shtoi se SHBA po i zbulon publikisht planet e Rusisë në mënyrë të vazhdueshme në përpjekje për të hequr çdo arsye që Rusia mund të japë për të justifikuar pushtimin e Ukrainës dhe për t’i parandaluar që të bëjnë lëvizje.

Pyetjes së gazetarëve nëse është i bindur se Presidenti Putin do të pushtojë Ukrainën, Biden u përgjigj: Po!

Më tej presidenti amerikan deklaroi se Rusia po përhap gjithnjë e më shumë dezinformim në publikun rus, përfshirë akuzat se Ukraina po planifikon një ofensive në territorin që mbahet nga rebelët.

Biden tha se Ukraina nuk do të bënte asnjë hap ushtarak në rajon ndërsa Rusia vijon të shtojë trupat në kufij.

Ai i bëri thirrje Rusisë që të evitojë zgjedhjen për “një luftë katastrofike dhe të panevojshme”.

“Rusia ka ende shanse për të zgjedhur diplomacinë. Nuk është vonë për t’u kthyer në tavolinën e negociatave”.