Komisioni i Sigurisë diskuton sot për stërvitjen e NATO-s në Shqipëri

Shqipëria do të mirëpresë 4000 trupa amerikane këtë vit, në sajë të planit stërvitor të NATO “Defender Europe 21”. Stërvitja do të zhvillohet nga 1 maj-14 qershor të këtij viti dhe do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi. “Presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Ajo do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon”, theksoi zv/komandanti i trupave amerikane në Europë, Gjeneral Major Joseph Jarrard. Nga ana shqiptare konfirmohet se çdo gjë do të jetë e mirëorganizuar. Detajet diskutohen sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.

Zgjedhjet në Kosovë, vijon rinumërimi, shumë vota me postë të pavlefshme

Në Kosovë vijon procesi i rinumërimit të qendrave të kontestuara dhe numërimit të votave me postë dhe nga rezultatet e deritanishme njoftohet se 14 mijë e 200 zarfe janë refuzuar për arsye se mbajnë emrin e personave që nuk janë regjistruar për të votuar ose janë dërguar nga persona që në momentin e aplikimit nuk rezulton të kenë qenë jashtë territorit. 991 votues ndërkohë e kanë dërguar votën e tyre nga dy herë njofton zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi. Për sa i takon rinumërimit “Deri më tani janë rinumëruar rreth 33% e vendvotimeve”, tha ai.

Zbulohet një variant i ri i koronavirusit, është dy herë më infektues

Një tjetër variant i koronavirusit është zbuluar në shtetin e Kalifornisë të SHBA. Sikurse bëjnë me dije shkencëtarët të dhënat e zbuluara i takojnë punës për studimin e variantit britanik kur mes personave u ndeshën me një tjetër trajtë të virusit që paraqet rrezikshmëri më të lartë dhe përhapje edhe më të shpejtë. Ky variant ka një ngarkesë virale dy herë më të madhe tha njëri prej tyre dhe ka gjasa të shkaktojë një formë të rëndë të sëmundjes “përfshirë një rritje të rrezikut për marrjen e sasive të mëdha të oksigjenit prej personave të prekur”. Varianti i ri është pjesërisht rezistent ndaj antitrupave që mund ta luftojnë dhe neutralizojnë virusin.

Palmer: Fokusi i Amerikës nuk ka ndryshuar për Ballkanin Perëndimor

Strategjia e Amerikës mbi Ballkanin Perëndimor nuk ka ndryshuar ashtu sikurse dhe interesi i lartë për të. Kjo është deklarata më e fundit e Matthew Palmer që drejton diplomacinë e këtyre vendeve. “Ajo që ne do të dëshironim të shihnim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të gjalla, të begata, në paqe me veten dhe me fqinjët si dhe të integruar në institucionet evropiane. Kjo do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të gjithë ata që e marrin këtë vendim dhe që aspirojnë anëtarësimin,” tha Palmer.

Von der Leyen: Vaksinojmë 70% të Europës deri në verë

Jam optimiste se do të vaksinojmë 70 për qind të qytetarëve europianë brenda stinës së verës. Këtë e thotë presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në një intervistë për gazetat gjermane. “Por, ne nuk mund të bëjmë një vlerësim, përveçse në fund të verës. Nuk është një sprint, është një maratonë”, shtoi ajo. Duke dashur te mos ndalet tek problemet me pajisjen me vaksina nga kompania AstraZeneca, presidentja e komisionit tha se “Prodhuesit e vaksinave janë partnerët tanë në këtë pandemi. Edhe ata gjithashtu po përballen me sfida të pabarabarta, ne vazhdimisht po përballemi me pikëpyetje të reja që ne arrijmë t’i zgjidhim shumicën e kohës në mënyrë miqësore”, tha Von Der Leyen.

Mitsotakis thirrje BE-së: Aplikoni për pasaportën e të vaksinuarve

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis rikthen në vëmendje aplikimin e pasaportës së të vaksinuarve që do të lejonte kë ka marrë dozat e saj të lëvizte lirshëm brenda vendeve të bllokut. Këtë e tha gjatë konferencës online që zhvilloi me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel me Presidenten e Komisionit Evropian Ursila von der Leyen, me kryeministrat e Portugalisë dhe Italisë, si dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel. Diskutimi mbi këtë çështje pritet të bëhet po sot në Komisionin Europian.

Varianti i ri i koronavirusit, Italia shton masat

Italia nuk e ka kaluar situatën me pandeminë dhe tani i shtohen edhe variantet e reja të virusit që janë kthyer në një shqetësim serioz për autoritetet shëndetësore. Derivati që shqetëson më shumë specialistët tani është ai brazilian me të cilin u zbulua një nxënës në një shkollë të kryeqyteti. Nga përditësimet e të dhënave ndryshojnë shpeshherë edhe organizimi i zonave të ndryshme të vendin. Në këtë kuadër, nga sot 14 komuna të Emiglia Romagna-s ngjyrosen me portokalli të errët çka nënkupton shtrëngimin e masave përfshi edhe mbylljen e shkollave.

Europa League, Tottenham i shënon dhe 4 herë Wolsberger

E mërkura si rrallë herë kishte paralelisht edhe një ndeshje nga Europa League. Tottenham mundi edhe njëherë me 4 gola austriakët e Wolsberger, skuadër të cilës në total i shënoi plot 8 gola në 180 minuta. Europa League vijon si zakonisht sot, me ndeshje interesante dhe llogari të hapura sikurse janë në sfidën mes Milan dhe Crvena Zvezda, Arsenal-Benfica, apo Leicester-Slavia Praga. Manchester United është thuajse i kualifikuar përballë Real Socidead pas fitores 4-0 në ndeshjen e parë, ndërsa Napoli i Elseid Hysaj duhet të përmbysë 2 golat e pësuar në Spanjë ndaj Granadas.

Barcelona kthehet tek fitorja, Messi gjen dy herë rrjetën

Në fushë të mërkurën ishte dhe Barcelona e cila nuk luante në Champions, por për në kampionatin spanjoll. Katalanasit nuk gabuan këtë herë dhe u kthyen te fitorja duke mundur 3-0 Elche-n. Messi mori në kontroll situatën dhe i hapi rrugën suksesit të “blaugranave” me dy golat në pjesën e dytë që u pasuan edhe nga ai i Jordi Albas në fund. Me 3 pikët, Barcelona ngushton distancën nga kreu ndërsa ngjitet në vendin e tretë, 5 pikë provizorisht më pak se Atletico e vendit të parë.