Nga Grigor JOVANI

Fatkeqësisht! Shqipëria nuk ka sot intelektualë të mirëfilltë, që të udhëheqin shoqërinë drejt progresit. Aq më shumë të profilit perëndimor. Ka thjesht mbeturinat e një shtrese të shkolluarish në sistemin diktatorial, të indoktrinuar gjer në palcë me psikofilozofinë marksiste-leniniste të Lindjes. Ata nuk kanë për të ndryshuar, ngaqë nuk mund të jenë diçka tjetër. Barometri i pandryshueshmërisë së tyre është indoktrinimi shoveno-nacionalist, i padukshëm dhe kaq dikur, për shkak të “internacionalizmit të detyruar proletar”, krejt i dukshëm dhe qesharak sot, kur janë të zbuluar nën diell – ata dhe mendësia që mbartin, të cilën asgjë nuk e lidh me botëkuptimin perëndimor. Dëshmi flagrante është pozicionimi i hapur dhe entusiast i pseudointelektualëve (ku bie në sy veçanërisht dhe diskreditohet “militantizmi” nacionalist i njerëzve të poseudoartit!) përkrah pushteteve të radhës. Askund në botën perëndimore, nuk ndodh kjo. Intelektualët e vërtetë janë tradicionalisht barikada përkundrejt çdo pushteti, filtri i papërshkueshëm ndaj çdo nacionalizmi, që lind pashmangshëm çdo pushtet. Hidhni një sy në blogsferën internetike shqiptare. Nacionalistët më të flaktë janë “intelektualët”, të cilët tradicionalisht flasin me gjuhën e Enver Hoxhës, atit të tyre shpirtëror. Ngaqë janë pozicionuar shpirtërisht kah Lindja, mbërritja e tyre në Evropën Perëndimore është gati e pamundur. Një absurditet. Nuk mund të shkosh përpara, kur flugeri të rrotullohet mbrapsht. Thirrja gati gjysmëshekullore “E duam Shqipërinë si Evropën!” është thjesht një slogan propagandistik. As ata vetë nuk e besojnë dhe nuk e dëshirojnë.