(Studentët dyshojnë për abuzim me fondet dhe financat në Universitetin e Mjekësisë…)

Me kërkesë të një përfaqësie të studentëve të mjekësisë u arrit që këtë të premte ata të zhvillonin një takim me Kryetarin e Kontrollit Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu.

Në vazhdën e hapave të ndërmarrë për kundërshtimin e ligjit “për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë” ata i parashtruan z. Shehu dyshimet e tyre për abuzim me fondet dhe financat në Universitetin e Mjekësisë dhe, lidhur me këtë çështje, kërkuan auditim nga ky institucion.
Ata bënë me dije se kanë kërkuar nga KLSH të kryejë audit për abuzim me fondet publike në UMT, ndërsa u ndalën edhe tek ligji për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, për të cilin thanë se efektet negative po shihen në uljen e ndjeshme të numrit të aplikantëve në këtë degë.

Pas përfundimit të takimit studentët bënë me dije se kanë paraqitur në KLSH dyshimet e arsyeshme se në Universitetin e Mjekësisë ka abuzim me fondet publike dhe lidhur me këtë çështje kërkuan auditim nga ky institucion.

Studentët e mjekësisë u ndalën edhe në uljen e numrit të aplikantëve në degën “Mjekësi e Përgjithshme” për këtë vit akademik, duke thënë se vjen si pasojë e ligjit të gabuar që u ndërmor për këta studentë.

Më datë 30 gusht studentët e mjekësisë i dërguan një kërkesë KLSH ku parashtruan se sipas nenit 5 të ligjit, studenti që nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen, paguan vlerën e plotë të kostos së studimeve, që në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave, përcaktohet të jetë 678 mijë lekë të rinj për çdo student në vit.

Sipas studentëve kjo kosto e fryrë nuk përputhet me kushtet që ofron Universiteti i Mjekësisë dhe bie në kundërshtim me një deklaratë publike të rektorit të UMT Arben Gjata, se kostoja e përllogaritur nga universiteti është rreth 3000 euro. Teksa ngrenë dyshime se në Universitetin e Mjekësisë ka abuzim me fondet publike, ata kërkojnë të zhvillohen kontrollet përkatëse nga KLSH.